E Diel, 1 Nëntor 2026

Finalizohet me marrëveshje konferenca rajonale e NATO-s. Berisha dhe Topalli takohen me Lamers

24-04-2012 / Gazeta 55

Përfundon me nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët konferenca dy ditore rajonale e NATO-s, me temën “ Mbrojtje e Zgjuar - Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes’’.
Nënshkrimi i marrëveshjes nga të gjitha delegacionet pjesëmarrëse është tregues se nisma e NATO-s është e mirëpritur në rajon.
Konferenca rajonale e NATO-s u organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në të u diskutuan rreth sfidave dhe nismave të bashkëpunimeve rajonale në aspektet e mbrojtjes.
Në konferencë  morën pjesë delegacionet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga Shqipëria, Austria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia.
Si dhe Zv/ Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Dr. Karl Lamers, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Z. David Hobbs, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-PA, ambasadori Alexander Vershboë, ambasadorët e akredituar në Tiranë, ministra shqiptarë, përfaqësues të institucioneve respektive dhe Forcave të Armatosura, aktorë jo-qeveritarë.

Berisha dhe Topalli takojnë Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Karl Lamers

Kryeministri Berisha priti Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zotin Karl Lamers, në kuadër të konferencës “Smart Defence, mbrojtje inteligjente” që po mbahet në tranë, një ngjarje e rëndësishme kjo në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe angazhimit mes vendeve të NATO-s mbi sfidat e këtij shekulli. Zoti Lamers vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë e të shkëlqyer me qeverinë shqiptare, gjatë kësaj periudhe. Në takim u rikonfirmua vullneti i dyanshëm për konsolidimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë e NATO-s. Gjithashtu, U diskutuan çështje që kanë të bëjnë me punën e objektivat e misionit të ISAF në Afganistan. Zoti Lamers i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet më të larta për kontributin e Shqipërisë në kuadër të këtij misioni, në mbështetje të konsolidimit të paqes e stabilitetit të popullit mik afgan. Me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s Karl Lamers u takua dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në përgjigje të interesit të zotit Lamers, Kryetarja e Kuvendit bëri edhe një rezyme të zhvillimeve politike në vend, teksa u shpreh se me tejkalimin e bllokimit dhe bojkotit të opozitës, vlerëson se Brukseli ka një perceptim pozitiv për Shqipërinë. “Ne të gjithë po punojmë fort dhe jemi optimistë për procesin e reformave të integrimit, në mënyrë që vendi të meritojë statusin e vendit kandidat” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.  Zonja Topalli organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave në nderim të delegacioneve  të Asamblesë  Parlamentare të NATO-s, i cili ndodhet në Tiranë në kaudër të konferencës: “Mbrojtja e Zgjuar” –  e vendeve të  Evropës Juglindore. Sekretari i përgjithshëm i asamblesë Karl Hobbs vlerësoi konferencën si shumë të dobishme dhe të mbajtur në kohën e duhur, një  muaj para Samitit. “Është shumë e rëndësishme, dimensioni rajonal dhe sidomos dimensioni parlamentar”- theksoi Hobbs.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›