E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holandë, fati i trupave në Afganistan përçan qeverinë

Kriza Prishet koalicioni qeveritar, zgjedhje të parakohshme

Koalicioni qeveritar në Holandë është prishur të shtunën në lidhje me Afganistanin dhe vazhdimësinë e misionit të trupave holandeze në këtë vend. Si pasojë, e ardhmja e 1600 ushtarëve holandezë në këtë vend për momentin është e papërcaktuar. Pas këtij akti pritet organizimi i menjëhershëm i zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri i vendit, Jan Peter Balkenende, njoftoi dje se partia e dytë më e madhe e koalicionit qeverisës është larguar duke i dhënë kështu fund një marrëdhënie që nuk ka qenë kurë e lehtë. “Kur mungon besimi bëhet e pamundur puna së bashku dhe nuk ka asnjë mundësi aktualisht për vazhdimin e punës së këtij kabineti qeveritar”, ka deklaruar Kryeministri i vendit në një konferencë për shtyp. Debati në Holandë u ndez pas rezultateve të sondazheve të fundit në lidhje me opinionin publik për çështjet e vazhdimësisë së qëndrimit të trupave holandeze në Afganistan. Rezultatet shfaqin një kundërshti gjithnjë e në rritje të popullit ndaj vazhdimit të qëndrimit. Kjo, edhe për shkak të rritjes së krizës ekonomike dhe shkurtimit të shumë zërave në buxhet për shkak të saj.

Nëse Holanda do të vendosë për të larguar trupat e saj, atëherë kjo do të kishte pa dyshim pasoja konkrete shqetësuese për NATO-n, e cila është përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që të rrisë numrin e trupave nga vendet e saj anëtare për të marrë pjesë në luftimet në Afganistan. Për sa u përket amerikanëve, ata kanë dërguar edhe 30 mijë trupa të tjerë shtesë në këtë vend. Ndërsa një tjetër shenjë e dobësimit të kësaj strukture është edhe dobësimi i mbështetjes që Kanadaja i jep kësaj lufte me planifikimin e tërheqjes së 2800 trupave që ka çuar në Afganistan në fund të vitit 2011. Kontingjenti kanadez, që është i treti për nga përmasat pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe është shumë i rëndësishëm, sipas NATO-s. Ndërkaq, në njoftimin e djeshëm, Kryeministri holandez nuk i zuri në gojë zgjedhjet e parakohshme, por dukej që ishte i lodhur pas një maratone 16-orëshe të një mbledhjeje të kabinetit qeveritar. Largimi i Partisë Laburiste, që kërkoi paraqitjen e një axhende konkrete të largimit të trupave nga Afganistani, e lë qeverinë me 47 vende në një Parlament me 150 anëtarë. Mundësia e zgjedhjeve të parakohshme vjen nga pamundësia e krijimit të një tjetër koalicioni të mundshëm për vazhdimin e qeverisjes së vendit pa hyrë në zgjedhjet e parakohshme. Sipas ligjit, ato duhet që të mbahen brenda 83 ditësh nga shpërbërja e qeverisë dhe sipas zakonit, një ditë të mërkurë, pra data më e mundshme është 11 maji. Kryeministri tha se Aleanca Kristian Demokrate e qendrës së djathtë do të vazhdojë të qëndrojë deri në atë kohë në pushtet së bashku me Partinë e vogël Unioni Kristian. Kabineti do të vazhdojë punën deri në formimin e qeverisë së re. Ushtarët holandezë janë vendosur në Afganistan që nga viti 2006 dhe që nga ajo kohë janë vrarë gjithsej 21 ushtarë në tokën e largët. Partia e Kryeministrit donte një reduktim të pranisë së ushtarëve, ndërsa Partia Laburiste një axhendë konkrete largimi. Qeveria, e cila kishte javë të tëra nën tension, u nda kryesisht për shkak të Afganistanit. Kryeministri këmbëngulte që largimi i ushtrisë nga ky vend do të dëmtonte reputacionin e Holandës dhe do të inkurajonte edhe largimin e vendeve të tjera. Tashmë ardhmëria e fatit të trupave afgane do të jetë në dorën e kabinetit të ardhshëm qeveritar. Ndërkaq, NATO i ka kërkuar Holandës që të vazhdojë të qëndrojë. Në Bruksel, në selinë e Aleancës nuk është bërë ende një koment në lidhje me këtë rast. Një mbajtje e zgjedhjeve ka shumë mundësi të nxisë antiemigrantin Geert Wilders në pushtet.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›