E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen portat e HEC-eve, rrezik përmbytjesh

Në Ohër janë hapur pesë shkarkuesit e mëdhenj, Drini del nga shtrati duke paralajmëruar fatkeqësi

Hapen portat e hidrocentraleve, rrezik përmbytjesh. Rritja e nivelit të liqenit të Ohrit në Maqedoni, shkrirja e borës dhe reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm prurjet në liqenin e Fierzës. Për pasojë niveli i këtij liqeni ka arritur në nivelet kritike, duke krijuar një situatë serioze dhe rrezik përmbytjesh. Burime nga KESH-i bëjnë të ditur se dje në hidrocentralin e Fierzës prurjet kanë qenë 1000 m kub në sekondë dhe niveli i ujit ka arritur në 290.2 m mbi nivelin e detit. Shifrat tregojnë se niveli i ujit është në prag të pikës kritike. Me urdhër të ministrit Prifti është ngritur një grup ekspertësh për të ndjekur situatën hap pas hapi. Ndërkohë, në Koman prurjet kanë qenë 780 m kub në sekondë, ndërsa niveli i ujit ka arritur në 172 m mbi nivelin e detit. Ndërsa prurjet në hidrocentralin e Vaut të Dejës kanë qenë 150 m kub në sekondë, ndërsa niveli i ujit ka arritur në 74.9 m mbi nivelin e detit. Burimet nga KESH-i pohojnë se dje janë hapur portat e hidrocentralit të Komanit dhe Vaut të Dejës, ndërkohë që në hidrocentralin e Fierzës ende nuk është ndërhyrë. Aktualisht po monitorohet situata, por nuk përjashtohet edhe mundësia e ndërhyrjes në këtë hidrocentral.

Ohri

Situata hidrologjike ka bërë që niveli i ujit në liqenin e Ohrit dita-ditës po rritet nga reshjet dhe akumulimet e pakontrolluara të ujërave nga përrenjtë e ndryshëm, që po reflektohen edhe në shkarkimin e liqenit në lumin Drin. Me hapjen e pesë portave të shkarkimit të liqenit të Ohrit, sasia e ujërave në lumin Drini i Zi është shtuar dukshëm dhe kjo po reflektohet në liqenin akumulues të hidrocentralit Glloboçica, ku niveli i ujit është rritur për disa centimetra mbi kuotat jo vetëm normale, por edhe ato maksimale. Nga kjo, ka derdhje dhe shkarkim nga sifoni i shkarkimit në këtë liqen akumulues, që rrjedhimisht po reflektohet në sasinë e ujërave të lumit Drin gjatë rrjedhjes së tij në drejtim të Dibrës. Pikërisht për këtë shkak, në afërsi të fshatit Llukovë, ku ka edhe përmbytje, uji nga shtrati i lumit Drin ka dalë në rrugë, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme të mëdha. Menjëherë kanë intervenuar ekipet e mbrojtjes dhe shpëtimit, duke angazhuar edhe mekanizimin e duhur të sektorit privat të “Beni Trans”, të cilët kanë vendosur argjinaturat e duhura për të mbrojtur daljen e Drinit nga shtrati. Po ashtu, edhe në fshatin Peshtan të Ohrit, ujërat nëntokësore që kanë ngritur nivelin e tyre, së bashku me nivelin e liqenit të Ohrit, kanë përmbytur disa bodrume nëpër shtëpitë që janë afër liqenit. Gjithashtu, këto përmbytje kanë shkaktuar edhe një defekt të theksuar në sistemin e kolektorit, duke dëmtuar një nga stacionet e pompimit në Peshtan.

Përderisa Llukova, Peshtani e vende të tjera përballen me përmbytjet, fshati Vevçan po ballafaqohet me ortekun e një sasie mbi 500 metra kub dhe, që është sjellë nga kodrat e afërta dhe ka rrezikuar katër shtëpi të këtij fshati. Ngjarja ka goditur këtë fshat rreth orës tetë të mbrëmjes. Banorët e këtij fshati tërë natën janë angazhuar për të penguar ortekun që rrezikonte katër shtëpi dhe qendrën mjekësore, e cila ndodhet aty pranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›