Holande-kampionati

Është një kampionat në Europë, ku thuajse nuk ndihet stresi, ku spektakli është i lirë të fluturojë në ajër dhe ku tifozët shkojnë dhe kënaqen për dy orë në stadiumet që rrezatojnë kulturë e qytetërim.
Ky është kampionati i Holandës dhe jo rastësisht aty shënohet shumë dhe pranohen episodet qesharake që mbushin njerëzit me humor.
Një ndeshje golash u luajt në stadiumin “Filips” të PSV Ajndhovenit ku skuadra e trajnerit Dik Advokat mundi Herenvenin që ka për trajner legjendarin Marko Van Basten.
PSV fitoi 6-1, veçse numërimi nisi mbrapsht sepse miqtë modestë ishin të parët që shkundën rrjetën vendase me anë të Daniel De Riderit.
Veçse kjo thjesht zgjoi bishën që po flinte, pasi Ajndhoven reagoi dhe shpërtheu si ndonjë vullkan. Golat erdhën radhazi me anë të Narsingut, Strotmanit, Mertensin, Vejnaldumit, Derejkut dhe Engelarit. Pra, nuk mbeti kush pa shënuar në një ndeshje që rezultoi si ndonjë seancë stërvitore e rëndomtë.
Me këtë sukses, PSV forcon pozitat në kryesimin e ligës holandeze, duke pasur tani 33 pikë në 13 ndeshje, ndërsa nuk ka njohur ende shijen e barazimit. Skuadra e Advokatit po shënon më shumë sesa Barcelona, pasi ka 48 gola aktivë, me mesatare gati 4 gola për ndeshje.
Ajaksi e fitoi ndeshjen e tij, duke thyer më modestisht Venlonë 2-0. Veçse, skuadra e Frank De Boerit, aq shumë ambicioze në Champions, mezi po e mban ritmin në kampionat duke pasur vetëm 24 pikë dhe duke qenë larg ëndrrës për të qenë në zonën Champions për sezonin e ardhshëm, zonë që përfshin vetëm dy vendet e para.