Hollanda ndalon duhanin në vendet publike
Të martën, Hollanda bëhet vendi i fundit europian që ndalon pirjen e duhanit në restorante, kafene dhe të gjitha vendet publike. Pirësit e duhanit do të duhet t'i ndezin cigaret jashtë, në vende të hapura. Por ndryshe nga vendet e tjera, në Hollandë ende mund të kërkosh marijuanë dhe hashash në bare dhe kafene, së bashku me kafen, çajin apo lëngun e frutave.
Reklamat kundër duhanit janë gjithandej, teksa Hollanda bëhet gati të ndalojë duhanin në vendet publike. Vilem Klas, duhanpirës nga Amsterdami, thotë se momenti për zbatimin e ligjit është i përshtatshëm.
"Mendoj se është mirë që e ndaluan gjatë verës, sepse deri në dimër njerëzit do të mësohen duke mos pirë duhan."
Edhe Kristina Vermulen, banore e Amstredamit që nuk pi duhan thotë se e ka mirëpritur ligjin.
"Mendoj se është gjë e mirë, por e kuptoj pse duhanpirësit janë të pakënaqur.”
Ligji i ri do të ndikojë edhe tek kafenetë e famshme të Amsterdamit ku shitet marijuana. Ministria e Shëndetësisë e ka bërë të qartë se ligji i përfshin edhe ata. Por meqenëse Holanda prej shekujsh ka eksperimentuar me liberalizmin shoqëror, aty ekziston një boshllëk: ligji i ri përfshin duhanin, por jo marijuanën, e cila të paktën zyrtarisht është e paligjshme.
Pronarët e këtyre kafeneve po përpiqen të gjejnë alternativa të tjera si rritjen e shitjeve të ëmbëlsirave me hashash apo vetë gjethet e tij.
Zotërimi i marijuanës në Hollandë është i paligjshëm, megjithëse përdoruesit nuk ndiqen penalisht nëse mbajnë deri në 5 gram. Nga rreth 750 kafene, gjysma e tyre në Amsterdam janë të liçensuara për të mbajtur deri në 500 gram marijuanë në çdo kohë.
Megjithatë, politika e përgjithshme e tolerancës hollandeze
është një pranim pragmatik i faktit se njerëzit do të pijnë marijuanë
pavarësisht nga ligjet, prandaj është më mirë që kjo të ndodhë në mënyrë të
rregullt. //bsa//