E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha fton investitorët izraelitë që të shtojnë investimet në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti dje në një takim përfaqësuesin e Ministrisë së Jashtme të Izraelit, zotin Pinhas Avivi, i cili shoqërohej nga ambasadorja e shtetit të Izraelit në Tiranë, zonja Amira Arnon, bënë të ditur burime të Zyrës së Shtypit të Qeverisë. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme izraelite zoti Avivi, i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të kryeministrit izraelit zotit Ehud Olmert, si dhe urimet e autoriteteve të larta izraelite për marrjen nga ana e Shqipërisë të ftesës për anëtarësim në NATO, si një garanci më shumë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi miqtë izraelitë për mbështetjen që Izraeli i ka dhënë dhe
i jep Shqipërisë në proceset e zhvillimit dhe modernizimit të vendit, si dhe në proceset integruese.Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes
dy vendeve, me perspektivën për zgjerimin e tyre të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit dhe Ambasadorja u shprehën se "një lajm i mirë për shqiptaret dhe qeverinë shqiptare si dhe për marrëdhëniet mes
dy vendeve është se në fund të muajit korrik, qeveria izraelite do të heqë vizat me Shqipërinë. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po zhvillon çdo ditë e më shumë një klimë miqësore për biznesin, nëpërmjet një sërë masash që qeveria ka ndërmarrë për të lehtësuar veprimtarinë e investitorëve të huaj. Duke ftuar investitorët izraelitë të investojnë në Shqipëri, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria paraqet mundësi të pafundme, për tu shfrytëzuar. Në këtë kontekst, ambasadorja izraelite u shpreh se në mënyrë të veçantë vitin e fundit shumë kompani të mëdha izraelite, po tregojnë interes për të investuar në Shqipëri dhe se së shpejti prania e tyre në vendin tonë do të jetë më
e madhe. Duke diskutuar për zhvillimet më të fundit në Kosovë, Ambasadorja e Izraelit Arnon u shpreh se" Izraeli është një nga vendet donatore në mbështetje të zhvillimit të shtetit të ri të Kosovës. Në këtë drejtim do të ketë një sërë projektesh në fushën ekonomike si dhe në ekspertë. Së fundi një projekt shumë i rëndësishëm është
programi për trajnimin e mjekëve kosovarë në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›