E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holtkemper: Presim numërim transparent të votave

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, kërkon që të garantohet një proces transparent i numërimit të votave për zgjedhjet e 8 Majit. Në një intervistë për “Dwelle”, ajo analizon situatën pragzgjedhore.

Si e vlerësoni atmosferën elektorale në Shqipëri, znj. Ambasadore?

Të gjitha njoftimet dhe lajmet që ne kemi marrë kohët e fundit, lidhur me fyerjet dhe shpifjet e ndryshme, të cilat janë duke u bërë mes forcave politike gjatë kësaj fushate elektorale, janë të gjitha elementë që na shqetësojnë së tepërmi. Unë do të kisha dashur që kjo fushatë elektorale të mund të zhvillohet në mënyrë të ndershme dhe e bazuar mbi argumente.

Partitë konkurrente do të hyjnë në zgjedhje me të njëjtin Kod Zgjedhor, si ai i votimeve të kaluara. Nga shkaku i krizës politike, nuk u morën në shqyrtim një sërë propozimesh për ndryshim të Kodit nga OSBE/ODIHR-i, të bëra qysh në verën e vitit 2009. A përbën kjo një pengesë, apo cenim të kualitetit të votimeve në zgjedhjet e 8 majit?

Për fat të keq, Kodi Zgjedhor nuk ishte e mundur të ndryshohej në momentin e duhur, përpara këtyre zgjedhjeve lokale. Ndryshimin pas kësaj, unë do ta konsideroja si të vonuar, pasi rregullat e lojës nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj. Megjithatë, do të vlerësoja se Kodi Elektoral nuk është problemi kryesor në këtë kontekst. Problemi kryesor është mungesa e vullnetit, për të zhvilluar dialog dhe mungesa e vullnetit për mirëkuptim reciprok.

Cila është pritmëria e Gjermanisë dhe e BE-së nga zhvillimi i këtyre zgjedhjeve?

Ajo që ne presim është në radhë të parë zhvillimi i një fushate elektorale të ndershme dhe konkrete të bazuar mbi argumente. Në datën 8 maj 2011 do të dëshironim një pjesëmarrje sa më të lartë në procesin e votimit dhe pas kësaj, ajo që ne do të dëshironim të presim është fakti që numërimi i votave të bëhet sipas rregulloreve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe në mënyrë tejet transparente.

Deri më tani, si pasojë e moszgjidhjes së krizës politike në rreth 2 vite, është e dukshme klima e acaruar dhe mosbesuese mes palëve. A mendoni se kjo do të jetë premisë për një kontestim të mundshëm paszgjedhor, siç dhe ka ndodhur rregullisht më parë nga humbësit?

Në një kontekst spekulimesh të tilla, unë nuk do të dëshiroja të bëhesha pjesë. Ajo që ne shpresojmë, sikur e përmenda dhe më lart, është zhvillimi i një fushate elektorale të ndershme, një ditë votimesh me sukses dhe një proces të numërimit të votave dhe gjithçka që vjen më pas tejet transparente.

Nga listat që janë publikuar të kandidatëve për autoritetet vendore, sërish ka pak femra, me gjithë angazhimin e premtimin e forcave politike se kjo pjesëmarrje do te ishte më e gjerë, në raport me zgjedhjet e kaluara. Si e vlerësoni ju faktin që femrat në administratën e ardhshme lokale do të jenë në numër shumë të pakta?

Do të shprehja zhgënjimin tim, në lidhje me faktin që në këtë proces zgjedhor merr pjesë një numër jashtëzakonisht i vogël i kandidateve femra, në pozicionet e drejtimit të pushtetit lokal. Janë gjithsej 17 femra, të cilat kandidojnë për 384 vende të tilla. Nisur nga këto shifra, vihet re se kuotat që janë caktuar nga partitë, për përfshirjen e femrave në këto procese nuk janë respektuar. Për këtë mosrespektim të kuotës 30 për qind, shtabet e partive do të duhet të paguajnë një gjobë financiare, por realisht ky detyrim është minimal. Nga ana tjetër, unë jam e bindur që femrat duhet të luftojnë për të rifituar pozicionet e tyre brenda dhe jashtë partive, pjesë e së cilës ato janë. Sigurisht nuk ka ndodhur ndonjëherë që dikush në mënyrë vullnetare të lëshojë pushtetin që ka në dorë. Por gratë duhet të luftojnë për këtë dhe duhet të kuptojnë më në fund se ato janë një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike të një vendi.

DW: Zonja Müller-Holtkemper, a do të përfshihet Gjermania me vëzhgues të saj në këto zgjedhje, apo ata do të jenë pjese e ekipit të ODIHR-it, ose institucioneve të tjera ndërkombëtare?

Në ekipet e vëzhguesve të këtyre zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it janë disa gjermanë që do të marrin pjesë në to. Por përveç këtyre, nuk do të ketë nga ata që do të përfshihen në ekipe të veçanta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›