E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Partitë mbajnë përgjegjësi për dhunën

Incidentet e ditëve të fundit në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 Majit kanë sjellë reagimin e fortë të kreut të shtetit Bamir Topi. Ai priti dje në një takim në Presidencë përfaqësues shqiptarë të Organizatës botërore kundër korrupsionit “Transparency International”. Presidenti Topi, duke folur fillimisht për gjendjen aktuale politike në vend dhe fushatën e zgjedhjeve vendore, nënvizoi “rëndësinë e bërjes transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës, në përputhje dhe zbatim të ligjit”, apeloi edhe njëherë për nevojën e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve, përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse, në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”. Në këtë pikë, kryetari i shtetit theksoi “nevojën e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore, e cila vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre”. Përfaqësuesit e “Transparency International Albania”, pasi falenderuan Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë, shprehën gjithashtu dëshirën për realizimin e zgjedhjeve vendore të drejta e të qeta. Ndërkaq, nisur nga raportet tashmë të hartuara prej tyre, mbi gjendjen e financimeve të partive politike, përfaqësuesit e TIA-s vlerësuan ndryshimet në ligjin mbi partitë politike kryesisht për financimet, por theksuan se këto ndryshime ende nuk japin garancinë e transparencës së kërkuar për burimet financiare të partive politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Gjithashtu, ata e informuan Kryetarin e Shtetit mbi faktin se në zgjedhjet aktuale vendore, vetëm “Transparency International” do të ketë raport monitorues, kurse procesin e transparencës zgjedhore do ta ndjekin indirekt edhe organizata të tjera. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Organizatës globale “Transparency International”, si një rrjet që tenton të nxisë qeveritë në zbatimin e reformave antikorrupsion, si dhe misionin që ky organizëm vijon të kryejë në hulumtimin dhe evidentimin e fenomeneve korruptive në vende të ndryshme të globit, hartimin e analizave të detajuara dhe nxjerrjen e të dhënave konkrete në luftën e hapur ndaj korrupsionit, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të individit. Në fund të takimit, përfaqësuesit e “Transparency International Albania” shprehën mirënjohjen për këtë takim me Presidentin Topi, përfaqësuesin më të lartë të shtetit shqiptar, si dhe theksuan gatishmërinë dhe mbështetjen e tyre të mëtejshme për dhënien e ndihmesës, në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, luftën, korrupsionit dhe rritjes së transparencës. Një ditë më parë, kreu i shtetit takoi një përfaqësi studentësh që votojnë për herë të parë më 8 maj. “Si rrallëherë, ky mjedis ka një pjesëmarrje kaq të gjerë rinore me studentë, të cilët vërtet shquhen për kualitetin, mbi bazën e informacioneve që kam, dhe futur në kontekstin e asaj që ne duam të lançojmë sot, besoj që jeni të atyre degëve që jeni shumë afër asaj ndjeshmërie që ka sot mjedisi politik dhe mjedisi shoqëror. Për mua është një nga ato takime që ndjehem vërtet shumë i qetë në komunikim, sepse është një mjedis i paparagjykuar, është një mjedis i pastër”, u shpreh Topi. Presidenti deklaroi se sot jemi në një moment kur demokracia na ka dhënë shanset që të votojmë të lirë. Përkundrazi, insistoi ai, sot ne i inkurajojmë që njerëzit të shkojnë të marrin pjesë në votim, sepse për fat të keq, shpesh herë ka edhe indiferencë. “Indiferenca, unë nuk mendoj që shkon tek ata njerëz që janë të formuar”, theksoi Topi. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›