E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe letër ndërkombëtarëve për bllokimin e hetimit

Kryetari i komisionit hetimor për drejtimin e veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit, për periudhën shtator 2005 - dhjetor 2010, deputeti socialist Erion Braçe denoncon te ndërkombëtarët atë që ai e konsideron përpjekje të kryeparlamentares Jozefina Topalli për të bllokuar veprimtarinë hetimore. Me anë të një letre drejtuar kreut të prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Braçe fillimisht i prezanton atij objektin e hetimit si dhe përbërjen e tij, duke evidentuar faktin se mazhoranca e djathtë ka shumicën në këtë komision dhe se mosprezenca e tyre bën të pamundur zhvillimin e mbledhjes. Më pas ai, duke iu referuar zhvillimeve të ditës së hënë, ku komisioni nuk mund të zhvillojë mbledhjen e radhës për shkak të mosprezencës së deputetëve të djathtë, Braçe vlerëson se në këtë mënyrë qëllimisht po pengohet veprimtaria normale hetimore. “Për fat të keq, puna e këtij komisioni po pengohet në mënyrë të qëllimtë nga Kryetarja e Kuvendit dhe administrata në shërbim të saj. Për fat të keq, këtë javë pengesa administrative është zëvendësuar me një pengesë politike. Anëtarët e mazhorancës parlamentare në komision – pra shumica – ka njoftuar sekretarinë e komisionit se ‘nuk do të marrë pjesë deri më 8 Maj 2011 në punimet e komisionit’, duke bllokuar kështu funksionimin e këtij komisioni për shkak të mungesës së kuorumit të domosdoshëm të përcaktuar në ligj”, - shprehet Braçe në letrën e vet. Ai nuk ngurron të etiketojë direkt në këtë letër mazhorancën, e cila, sipas tij, ka zgjedhur të djegë afatet e këtij komisioni, duke synuar që të mos bëhet transparenca e kërkuar nëpërmjet këtij hetimi. “Të bindur se një funksionim demokratik i jetës parlamentare, bazuar në rregulla të gjithpranuara do t’i shërbente përmirësimit cilësor të jetës politike në vend, mbetemi me shpresë se bashkëpunimi ynë do të vijojë në përmbushje të angazhimeve që burojnë për Shqipërinë në procesin e integrimit Europian”, - shprehet Braçe në fund të letrës së vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›