Homazh për Triumfin
Katër vjet pas vrasjes së policit Triumf Riza, duket se vetëm gjysma e drejtësisë është vënë në vend.
Vrasja e pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës pati shkaktuar zemërim jo vetëm te familja e policit të ndjerë, por edhe te qytetarët të cilët këtë e patën shprehur me protestë.
Vrasja e cila ndodhi më 30 gusht 2007, në lagjen “Dardania” në qendër të Prishtinës, ia shtoi Policisë së Kosovës, numrin pjesëtarëve të saj të ekzekutuar nga njerëz që dyshohet se janë të lidhur me krimin e organizuar.
Për vrasjen e Rizës, tre prej tyre tashmë janë dënuar. Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për këtë atentat, i kishte dënuar ata në total prej pesëdhjetë vjetësh burg dhe dy mijë euro gjobë.
Paneli i udhëhequr nga gjykatësi Mejdi Dehari e ka dënuar Arben Berishën me dënimin më të lartë që parashikon Kodi Penal i Republikës së Kosovës, me dyzet vjet heqje lirie, ndërsa për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale, Fitim Avdiu është dënuar me dhjetë vjet burgim.
Personi i tretë që në atë kohë është dënuar për vrasjen e Rizës është Agron Berisha, i cili është dashur të paguajë një gjobë në vlerë prej dy mijë eurosh.
Pavarësisht nga dënimi i shqiptuar atë ditë, personat që dyshohen të jenë urdhëruesit për këtë atentat, Enver Sekiraça dhe Ilir e Rrahim Abdullahu, vazhdojnë të qëndrojnë në arrati.
Ndryshe nga rastet e tjera, kur policët janë vrarë dhe dorasit ndoshta ende nuk dihen, në këtë rast është pak më ndryshe. Së paku për njërin prej tyre, Enver Sekiraçën, të cilin organi i akuzës e cilëson si kryesorin në këtë rast, deri diku dihet vendndodhja e tij.
Por për çudi, për shkaqe burokratike, ende nuk mund të bëhet ekstradimi i tij nga Irlanda në Kosovë dhe këtë për një arsye shumë banale- sepse shteti ynë nuk ka marrëveshje me shtetin irlandez.
Sidoqoftë, nëse drejtësia në Kosovë shpesh ecë me hapa edhe më të ngadalshëm sesa ato të breshkës, duke bërë që shumë dosje të nisë mbulimi nga pluhuri i harresës, ata që nuk do ta harrojnë, janë të afërmit dhe shokët e tij.
Por në këtë katërvjetor, Triumf Riza nuk kujtohet vetëm me fjalë. Një libër homazh të quajtur “Vrasja që tronditi Kosovën”, e përgatitur nga shokët dhe të afërmit e të ndjerit, përmbledh jetën e tij të shkurtër, por të mbushur me shumë ngjarje.
“...Ai ra duke mbrojtur dinjitetin....Triumf Riza simbolizon gjeneratën e të revoltuarve, i cili rrjedhat shoqërore ndryshe i shikoi...”, shkruan ndër të tjera poeti i madh Ali Podrimja, në hyrje të këtij libri homazh.
Aktin e vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, ish-komisari i saj, Richard Moonk e kishte cilësuar si qyqar. “...Triumfi ishte me të vërtetë triumf...”, kishte thënë ai.
Në këtë libër homazh janë vendosur edhe mjaft citate nga libri i zisë i hapur në kohën e vrasjes së tij, ndërkohë që aty, përgjegjës direkt për ekzekutimin e tij në një atentat në Prishtinë, bëhet “banda kriminale e Enver Sekiraçës, i cili menjëherë pastaj mori arratinë jashtë Kosovës”.
Deri më tash, që nga themelimi i saj në vitin 1999, Policisë së Kosovës, në rrethana të ndryshme i janë vrarë 15 pjesëtarë të saj.
I fundit ishte Enver Zymberi nga komuna e Vushtrrisë, pjesëtar i Njësisë Speciale, i cili humbi jetën gjatë aksionit të urdhëruar nga shteti për të vendosur rend e ligj në pjesën veriore të Kosovës.