Dështimi i radhës

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj dhe ai i Serbisë Vuk Jeremic i kanë dhënë versionet e tyre për ngjarjet në pjesën veriore të vendit pa polemizuar shumë në të ashtuquajturën “dhomë norvegjeze” të Këshillit të Sigurimit.
Por, dy ministrat kanë qenë kritikë ndaj njëri-tjetrit kur janë paraqitur para mediave, pasi ka mbaruar debati në organin më të lartë të OKB’së.
Jeremic ka dënuar “aksionin e njëanshëm të pushtetit të Prishtinës” në pjesën veriore, derisa institucionet e Kosovës i ka quajtur si të vetmet struktura paralele në Kosovë.
Por, pasi ka përfunduar seanca e KS të OKB’së, ka qenë Jeremic që është shprehur i dëshpëruar.
“Pse ishte e pamundur të pranohet një deklaratë për atë që pak a shumë u tha në këtë sesion? Ata që e bllokuan e bartin përgjegjësinë nëse hapat e njëanshëm që i ka ndërmarrë Prishtina përsëriten”, ka thënë Jeremic.
Hoxhaj, ndërkaq, si rrëfim kryesor në shfaqjen e tij i ka prezantuar gjashtë njohjet e fundit që i kanë ardhur vendit javëve të fundit.
Për Ministrin e Jashtëm të Kosovës, ky është një argument më tepër për të theksuar se “Republika e Kosovës do të ekzistojë përgjithmonë”.
Para anëtarëve të KS të OKB’së, ndërkaq, ai ka arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të dërguar njësitë speciale në pjesën veriore të vendit, pasi të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të negociuar kishin dështuar.
Ndryshe, në Këshillin e Sigurimit çështja e ndërhyrjes në Veri ka qenë edhe pika kryesore për të cilën nuk janë pajtuar as shtetet anëtare të KS të OKB’së më të drejtë vetoje.
Rusia ka synuar që të miratohet një deklaratë presidenciale, e cila do të dënonte ndërhyrjen në pjesën veriore të vendit, me kërkesën që gjendja atje të kthehet në periudhën e para 25 korrikut.
Përfaqësuesi i Rusisë në KS të OKB’së, Ambasadori Vitaly Churkin ka deklaruar se shteti i tij kishte prezantuar një deklaratë të balancuar.
“Aktet e njëanshme nuk do te lejohen. Ne kemi hartuar një dokument shumë të balancuar. Kjo deklaratë është bllokuar dhe ne shprehim keqardhje për këtë”, ka thënë Churkin në fjalimin e tij.
“Jemi të brengosur me veprimet që janë ndërmarrë nga autoritetet kosovare me 25 korrik, kjo ka destabilizuar situatën e ndjeshme. Ne pajtohemi se situata duhet të kthehet në gjendjen e para 25 korrikut”, ka thënë ai.
Churkin ka kundërshtuar edhe transferin e policëve të Kosovës me helikopterë të KFOR’it në pjesën veriore.
“Kjo nuk është në përputhje me Rezolutën 1244”, ka thënë ai.
Churkin ka filluar fjalimin e tij duke përshëndetur Ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe duke theksuar se “ndajmë mendimet me të”.
Një pikë tjetër, për të cilën serbët dhe rusët nuk janë pajtuar me shtetet përkrahëse të Kosovës, janë pohimet për tregtinë me organe në Kosovë.
Churkin ka thënë se emërimi i një amerikani si kryeprokuror në këtë rast nuk përbën lajm të mirë.
“Ne insistojmë në hetime të plota, të cilat janë vonuar pa asnjë arsye. Vendosja e një amerikani në krye të Taskë Forcës është një lajm i keq. Ne përkrahim propozimin e Serbisë, sepse kjo do të garantonte paanësinë në këtë proces”, ka thënë Churkin.
Vuk Jeremic, ndërkaq, ka këmbëngulur që hetimet të kryhen nga një trup i pavarur që do të mandatohej nga KS i OKB’së. Ai sërish ka insistuar se EULEX’i nuk është i përgatitur për të kryer hetime të tilla. Sido që të jetë, në konferencën për media ai ka lënë të kuptohet se Serbia do të bashkëpunojë me Taskë Forcën e BE’së.
E pala kosovare është shprehur e gatshme për bashkëpunim me Task Forcën e BE’së.
“Jemi të kënaqur që ekipi hulumtues është formuar dhe në këtë kontekst, e përshëndesim nominimin e z. John Clint Williamson si kryeprokuror për Task Forcën e EULEX’it. Më lejoni të ju siguroj që Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë tërësisht me EULEX, si një arbitër i pavarur i drejtësisë në këtë rast”, ka thënë Ministri Enver Hoxhaj.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Rosemary Di Carlo, ndërkaq, ka prezantuar një qasje të kundërt me atë të përfaqësuesit rus.
Ajo ka thënë se Kosova, si një shtet sovran, ka të drejtë të shtrijë autoritetin e saj në veri të vendit.
“Kosova ka të drejtë të shtrijë autoritetin. Forcimi i ligjit në Veri është krucial për Kosovën”, ka thënë Di Carlo.
Ajo, po ashtu, ka thënë se Washingtoni mbështet procesin e bisedimeve me ndërmjetësimin e BE’së, por ka theksuar se këto bisedime nuk nënkuptojnë statusin ose ndarjen e Kosovës.
Shtetet anëtare jopermanente, ndërkaq, në deklarimet e tyre kanë folur me një qasje paksa më neutrale.
Ato kanë favorizuar dialogun si një zgjidhje, derisa kanë theksuar se roli i UNMIK’ut në këtë aspekt është thelbësor.
Ushtruesi i detyrës së Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Farid Zarif, situatën në Kosovë e ka vlerësuar si të “paparashikueshme”, derisa para anëtarëve të KS të OKB’së ka shpjeguar se si pala kosovare ka tentuar të marrë nën kontroll dy pikat në pjesën veriore.
“ROSU ka pasur sukses të arrijë në pikën 31, por jo në pikën 1”, ka thënë ai.
Shtetet tjera, si Franca e Britania e Madhe, kanë mbështetur hetimet për pretendimet e Dick Martyt.
Një gjë të tillë e ka bërë edhe Gjermania.
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, ndërkaq, i është referuar strukturave paralele në pjesën veriore.
“Autoritetet e Kosovës kanë bërë regjistrimin e popullsisë në prill. Është për të ardhur keq që strukturat paralele nuk kanë lejuar regjistrimin atje”.
Përfaqësuesi britanik u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të jenë konstruktivë në procesin e dialogut dhe këtë ta tregojnë konkretisht në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
Por, ai që ka folur më qartë për çështjen e strukturave paralele ishte vetë Ministri Hoxhaj, duke akuzuar direkt Beogradin.
“Serbia nuk ka të drejtë ligjore për të financuar dhe mbështetur institucionet e saj të armatosura, paramilitare, të sigurisë, inteligjencës dhe të tjera në Kosovë. Në 12 vitet e fundit, Qeveria e Serbisë ka investuar 6 miliardë euro për të mbajtur dhe kontrolluar ato struktura ilegale në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.