EULEX ia mësyn veriut

Nicholas Hawton, zëdhënës i EULEX ka thënë në mëngjes se EULEX është ndërmarrë një aksion në veri me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit dhe për të vazhduar hetimet që po bëhen përkitazi me vrasjen e policit kosovar, i cili humbi jetën në detyrë më 26 korrik të sivjetmë.
“Në orët e hershme të mëngjezit , policia e EULEX-it bashkë me policë të Kosovës kanë filluar një aksion në Zupç të Zubin Potokut, aksion ky i cili po vazhdon ende dhe është ndërmarrë si pjesë e hetimeve kriminale që po bëhen për vrasjen e policit Enver Zymberi“, ka deklaruar për Info Globin udhëheqësi i zyrës për informim i EULEX-it, Nicholas Hawton.
Sipas tij aksioni është ndërmarrë me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit dhe për të vazhduar hetimet që po bëhen përkitazi me vrasjen e policit kosovar, i cili humbi jetën në detyrë më 26 korrik të sivjetmë.
Për sigurinë e policisë po përkujdesen forcat e KFOR-it.
Jozyrtarisht mësohet se njerëzit kanë filluar të tubohen për të protestuar kundër këtij aksioni.
“Një numër i konsideruar i personave kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë -Zubin Potok, si dhe rrugët anësore që lidhin këto dy vende”, ka konfirmuar për portalin Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Ndërkaq dje, është raportuar se ushtarët amerikanë të KFOR gjatë orëve të mbrëmjes nuk kanë lejuar hyrjen në Kosovë të autobusit me përfaqësuesit e komunave paralele të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës, mirëpo si raportohet ata ia dolën të futen në Kosovë nëpërmjetë rrugëve anësore.
Fjala është për rreth 50 veta, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur mbledhjen në Beograd përkitazi me situatën e sigurisë. Të njejtit kanë refuzuar kërkesën e kancelares gjermane Angele Merkel për shuarjen e institucioneve paralele në veri të Kosovës, kërkesa këto që politikanët “komunalë” i konsiderojnë si ultimatum. (INFOGLOBI)