Homazhe në nder të ish-presidentit Ramiz Alia
UPDATE- Bëjnë homazhe, Gramoz Ruçi, Sërvet Pëllumbi, Namik Dokle, Ilir Meta, Fatos Nano, Pëllumb Xhufi.
|Pak pas orës 10:00 kanë nisur homazhet për ish presidentin e ndjerë, Ramiz Alia. Homazhet po mbahen në Shtëpinë qëndrore të Ushtrisë. Alia ndëroi jetë 2 ditë më parë pas një sëmundje të gjatë, në moshën 86- vjeçare. Homazhet jane parashikuar te mbahen ne 60 minuta kohe.
Homazhe në nder të ish-presidentit Alia kanë bërë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i cili u shpreh Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës antifashiste, dhe për përpjekjet e tij për mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, I pari personalitet politik që jep dorëheqjen pasi partia e tij humb zgjedhjet.
Thuajse në të njëjtën kohë ka bërë homazhe edhe ish- kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili e vlerësoi figurën e ish-presidentit Ramiz Alia.
Besoj se është në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj. Shpreh respektin për kontributin që ka dhënë në luftën antifashiste. Në rastin e homazheve duhet të shpreh vlerësimin tim për figurën e Alisë që ka dhënë në etapa të rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit politik.- tha Nano.
Ruçi, Pëllumbi dhe Dokle bëjnë homazhe
Ndërsa Partia Socialiste nuk ka reaguar aspak pas vdekjes së, ishe- presidentit Ramiz Alia, në homazhe ajo është përfaqësuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi dhe një prej figurave historike të PS-së, Sërvet Pëllumbi, si dhe Namik Dokle.
Shuhet Ramiz Alia, presidenti i parë i shtetit pluralist
Lideri i fundit komunist i Europës që drejtoi vendin pas vdekjes së Enver Hoxhës
Ramiz Alia, ish-presidenti i Shqipërisë, shuhet në moshën 86-vjeçare. Udhëheqësi i fundit komunist dhe presidenti i parë i shtetit pluralist shqiptar ndërroi jetë mëngjesin e së premtes në spitalin e Sanatoriumit në Tiranë, pas një tromboze në mushkëri. Mjekët bënë me dije se Alia vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare (një komplikacion në mushkëri) dhe ditët e fundit u paraqit me probleme të rënda në frymëmarrje, për të cilat u kurua nga një ekip i specializuar mjekësh në reanimacionin e Senaturiumit në kryeqytet.
JETA
Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe u bë pjesë e lëvizjes komuniste shqiptare që në fillimet e saj. Në moshë të re kreu detyra të rëndësishme në formacionet e Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në vitet e para pas çlirimit u zgjodh në krye të organizatës së BRPSH. Pas diplomimit në Moskë për filozofinë marksiste -leniniste në vitin 1954, kreu detyra me përgjegjësi në strukturat e larta të partisë e të shtetit komunist. Në vitin 1961, u zgjodh për herë të parë anëtarë i Byrosë Politike të KQ të partisë, funksion të cilin e mbajti deri në vitin 1990, kur u vendos pluralizmi politik. Alia ka qenë President i Republikës nga viti 1982, deri në vitin 1992, duke hyrë në histori si Presidenti i parë i shtetit pluralist shqiptar. Në prill të vitit 1992, pas zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit 1992, ku fitoi koalicioni antikomunist, dha dorëheqjen nga posti i Presidentit dhe u tërhoq nga jeta politike, ndërkohë që ish-Partia e Punës që kishte drejtuar për dekada me radhë, u transformua në një parti të majtë të modelit europian socialdemokrat. Në shtator të vitit 1993, u arrestua dhe pas një procesi gjyqësor, u dënua me nëntë vjet heqje lirie për shpërdorim dhe abuzim me pushtetin. Doli nga burgu në vitin 1995 dhe për një periudhë të gjatë nuk u shfaq publikisht. Qysh nga viti 1997 e deri në momentet e fundit të jetës, ka dhënë një sërë intervistash për median. Libri më i fundit Jeta ime, botuar vitin e kaluar, është në vetvete një autorrëfenjë për jetën e tij, por edhe historinë e Shqipërisë komuniste. Në të, por sidomos në disa intervista të viteve të fundit, Alia ka zbardhur një sërë misteresh nga ngjarjet e diktaturës komuniste. Duke iu referuar një sërë vrasjesh në kufi në vitin 1990, ka pranuar faktin se përveç ndryshimit të ligjit për kalimin e kufirit në këtë periudhë, nuk ka këmbëngulur në zbatimin rigoroz të tij. Mënyra arbitrare si është vepruar nga organet e rendit dhe atyre të kufirit, ndaj të rinjve që guxuan të kalojnë kufirin, ka pasuar me mjaft viktima për të cilat Alia penalizonte shkarazi organet e Ministrisë së Brendshme. Po kështu, ish-lideri i fundit komunist, teksa shpjegonte rrethanat si punoi për transformimin e Partisë së Punës, duke afruar në krye të saj intelektualë e profesorë të njohur, e vlerësonte të pajustifikuar vonesën për largimin e figurave të vjetra të Partisë. Me presionin e shpurës së byroistëve historikë, që u larguan nga Blloku vetëm në vitin 1981, ish-Presidenti komunist mundohej të përligjte vonesat në zhvillimet demokratike të vendit. Në refleksionet nga vitet e diktaturës, Alia më në fund nuk e shmangte përgjegjësinë për mbylljen e objekteve të kultit dhe thellimin e luftës së klasave, por sakaq mundohej ta justifikohej me kontekset historike të ngjarjeve. Si president i fundit komunist i ndodhur përballë presionit në rritje, ushtroi ndikimin e vet për ndalimin e represionit politik në agoninë e regjimit diktatorial dhe shpalli amnistinë e gjerë për të burgosurit politikë në vitin 1990. Në periudhën kur ishte në krye të shtetit, u vendosen pas shumë dekadash marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin dhe u hapën institucionet e kultit fetar. Me dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, u tërhoq në jetën private. Jetonte me të bijën në një pallat të hershëm te zona e stadiumit Dinamo, ndërkohë që e shoqja Semiramisi, kishte vdekur në vitin 1985. Alia bëri një jetë të zakonshme pensionisti dhe rrallë shfaqej si i ftuar në veprimtari të ndryshme me cilësinë e ish-presidentit të Republikës.
funksionet
.Komisar i Brigadës së VII sulmuese (1944)
.Komisar i Divizionit të V Sulmues (1944-1945)
.Sekretar i Parë i KQ të BRPSh (1949-1955)
.Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958)
.Anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH (1961-1990)
.Sekretar i KQ PPSH-së për propagandën (1961-1982)
.Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1991)
.Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991)
.President i Republikës së Shqipërisë (1991-1992)
Vrasjet e pazbardhura
Jeta ime, ky ishte libri më i fundit që botoi me autorësinë e tij Ramiz Alia. Aty risjell një biografi të zgjeruar, jo vetëm të jetës dhe veprimtarisë së tij, por edhe të historisë së regjimit komunist shqiptar. Mjaft ngjarje e episode të panjohura të periudhës së diktaturës zbulohen në të për herë të parë. Por, autorrëfenja e gjatë e Alisë nuk ndriçon asnjë nga enigmat e vrasjeve të bujshme të liderëve komunistë, Qemal Stafa, Nako Spiro, Alqi Kondi, Mehemt Sheu etj.
Brenga për Semiramisin
Mënyra si e përshkruan Ramiz Alia profilin e të shoqes, Semiramisit, në librin Jeta ime, është diçka e veçantë. Vdekja e saj në shtator të vitit 1985, vetëm pak muaj pasi Alia do merrte postin e Enverit, ka qenë një nga ngjarjet më të rënda për të. Të paktën në takimet konfidenciale ai nuk ngurronte ta shfaqte. Në një rrëfim për Panorama, para disa kohësh, Alia e vlerësonte humbjen e së shoqes si një nga brengat më të dhimbshme, jo thjesht për ikjen e parakohshme, por edhe për boshllëkun e krijuar nga ikja e bashkëpunëtorit më të afër të tij.
Ramiz Alia do të thirrej në komisionin hetimor për Tivarin
Ndarja nga jeta e ish-presidentit Ramiz Alia duket se