Alibeaj: Presidenti i ri në ngjyrën e mazhorancës
Demokratët nuk janë, në parim, kundër ndryshimeve kushtetuese të kërkuara me shumë ngulm nga Partia Socialiste. Por, sipas tyre, një gjë e tillë duhet të vijë si pasojë e një diskutimi profesional dhe jo qëndrimeve emocionale. Një qëndrim i tillë është shprehur dje nga deputeti demokrat, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë simpoziumit të parë me temë “Duhet të ketë ose jo ndryshime në Kushtetutë”, me një panel me ekspertë dhe profesionistë të së drejtës kushtetues. Alibeaj në fjalën e tij ka vlerësuar këtë debat, por duke theksuar se çdo ndryshim eventual duhet të vijë pas diskutimeve profesionale, larg ndikimeve politike. “Dëshira, kërkesat për të sjellë ndryshime kushtetuese të opinionit politik, madje, do të duhen të fokusohen mbi të gjitha në mundësinë teorike dhe praktike, se sa të vlefshme mundet dhe duhet të jenë ato. Të mos jenë thjesht dhe vetëm dëshira politike, por mbi të gjitha të jenë mundësi profesionale”, - tha Alibeaj në fjalën e vet. Ndërkohë, duke iu referuar në mënyrë specifike problemit të shumëdiskutuar kohët e fundit për nenet që trajtojnë zgjedhjen e Presidentit, ai ka theksuar se duhet t’i lihet kohë legjislativit që të provojë vlefshmërinë dhe efektet e ndryshimeve që ai bëri në ligjin themeltar të shtetit vetëm pak vite më parë. “Kemi rënë pre e prodhimit të një hibridi presidencial që ka gjetur një mënyrë komode mbylljen në guaskë, i sulmuar me apo pa të drejtë nga tjerët. Kjo ishte ajo që çoi në ndryshimin e Kushtetutës. Kjo Kushtetutë në këtë pjesë është ndryshuar, por duhet të presim çfarë produktesh do t’i ofrojmë sistemit parlamentar. E sigurt është se kjo formulë ka aftësinë për të gjetur një individ i cili do të ketë afërmendsh atë ngjyrim politik që do të ketë edhe mazhoranca që mbretëron në momentin e zgjedhjes së Presidentit”, - u shpreh ish-ministri i Drejtësisë në këtë simpozium, duke lënë të kuptohet se për momentin mazhoranca ku ai bën pjesë do t’i qëndrojë vendimit për të mos ndërhyrë në Kushtetutë. Ndërkohë që nga ana tjetër socialistët ndryshimet në Kushtetutë i kanë përfshirë edhe në paktin e tyre dhjetëpikësh dhe i vlerësojnë ato si një domosdoshmëri për të kthyer balancën e ndarjes së pushteteve në vend.