E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhe për Ramiz Alinë, marrin pjesë Nano dhe Meta

Ish-presidenti i parë pluralist pas viteve 90, Ramiz Alia do të përcillet sot për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij po zhvillohen në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.

Edhe pse për ish-presidentin e Shqipërisë protokolli i shtetit ka zhvilluar një ceremoni zyrtare, Ramiz Alisë do t`i jepet lamtumira e fundit pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë dhe trupi i tij do të niset drej varrezave të Sharrës.

Homazhe për nder të ish-presidentit Ramiz Alia kanë zhvilluar ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, një prej figurave historike të PS-së, Sërvet Pëllumbi, deputeti Namik Dokle, politikani Pëllumb Xhufi.

Në fjalën e tij ish-kryeministri Nano vlerësoi ish-presidentin Alia për kontributin për etapat e rëndësishme deri në institucionalizimin e demokracisë.

“Besoj se është në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj. Shpreh respektin për kontributin që ka dhënë në luftën antifashiste. Në rastin e homazheve duhet të shpreh vlerësimin tim për figurën e Alisë që ka dhënë në etapa të rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit politik.” theksoi Nano.

Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta duke vlerësuar figurën e Alisë në luftën antifashiste theksoi se ai ishte presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste që dha dorëheqjen pas humbjes së partisë së tij në zgjedhje.

“Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës antifashiste, dhe për përpjekjet e tij për mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik që jep dorëheqjen pasi partia e tij humb zgjedhjet" ka theksuar Meta.

Nuk dihet ende nëse ndonjë përfaqësues i lartë i shtetit do ta nderojë ish-liderin e fundit komunist, qoftë edhe për kortezi.
 

Presidenti i parë shqiptar i shtetit pluralist Alia ndërroi jetë rreth orës 07:00 të ditës së premte në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet pasi ka pësuar trombozë ndërsa vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare dhe për këtë arsye ai ndodhej në spital prej 4 ditësh.
Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925. Është me orgjinë nga Gjakova e Kosovës, lindi në Shkodër, u arsimua në Rusi dhe prej 70 vitesh jeton në kryeqytet.
 

Ai është ndër të rrallët politikanë që ka jetuar tre epoka në Shqipëri. Atë të Luftës Antifashiste si partizan, të sistemit komunist si kuadro i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit.
 

Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
 

Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›