E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhet per Jobs trishtim e mirenjohje per gjeniun

Dhjetë mijë postime në sekondë, rrjetet sociale në internet janë përmbytur nga mesazhet e ngushëllimit, shprehjet e trishtimit dhe të mirënjohjes për gjeniun Steve Jobs, një nga gurutë e internetit. Të gjithë i bëjnë homazhe themeluesit të Apple, që ka qenë në gjendje të trondisë në më shumë se një rast, realitetin virtual botëror. Mesazhet e ngushëllimit bashkohen me shprehje të dashurisë dhe të mirënjohjes, shpeshherë nga aparate që vetë Xhobs i nxori në treg për të gjithë.

Mes tyre Presidenti amerikan Barack Obama, shkruan: “Faleminderit për të gjithë punën që bëre të mundur, përfshirë edhe punën tonë”. Ka nga ata që citojnë shprehjen e tij të famshme: “Qëndro i uritur, qëndro i pamençur”. Ndërsa jashtë selisë së Apple në Kupertino, Kaliforni fansat dhe miqtë nisën homazhet në një memorial të ngritur aty për aty.

Që në orën 6 të mëngjesit, njerëzit u mblodhën përpara memorialit, me qirinj, lule dhe fotografi të Steve Jobs.
Sapo lajmi bëri xhiron e botës, në pak minuta, falë teknologjisë për të cilën Jobs punoi gjithë jetën, homazhet kanë nisur pothuajse në çdo vend të botës.

Steve Jobs, përveçse një njeri vizionar dhe me ide gjeniale, ishte edhe një orator që frymëzonte. Në 2005, ai mbajti një fjalim në universitetin e Standford, ku shumë njerëz kujtojnë thënien e tij të qënit i vdekshëm ishte ajo që e ndihmoi më së shumti në zgjedhjet e mëdha të jetës së tij.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›