Homo Poeticus - Homo Politicus

Në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, të një akti të madh politik për shqiptarët, Departamenti i Letërsisë, pranë Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, zhvilloi të premtën konferencën “Homo Poeticus-Homo Politicus”, me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studiuesve të letërsisë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia etj.
Një temë interesante, e cila tentonte të hidhte dritë mbi marrëdhënien letërsi-politikë, e cila duket se i ka rrënjët qysh se gjuha shqipe filloi të dokumentohej. “Kjo temë u zgjodh jo rastësisht, por në mënyrë të qëllimshme: marrëdhëniet e letërsisë me politikën. Arsyeja është shumë e thjeshtë, pasi ka qenë një dominante dhe një konstante e letërsisë shqipe. Marrëdhëniet e letërsisë shqipe me politikën kanë qenë shumë të forta që në fillimet e veta, që tek autorët e parë të letërsisë shqipe, që tek Budi e Bogdani, deri në ditët e sotshme”, thotë shefja e Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri, sipas së cilës, në një letërsi relativisht të vonë si kjo e jona, ky raport ka qenë shumë i fortë, i dukshëm dhe ka qenë i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me jetën e ndonjëherë edhe me mbijetesën e shqiptarëve.
E ndryshe nga të gjitha herët, kur studiuesit e letërsisë janë rrekur t’i dalin skemave tradicionaliste të leximit të një vepre, duke synuar tërësisht letraren, kësaj here, sipas Shehrit, synohet ndërtimi i një hierarkie të atyre autorëve, që janë njëkohësisht edhe homo politicus, edhe homo poeticus. “Veç Budit dhe Bogdanit, do të përmendja Naimin, Fishtën, Nolin, Konicën, deri te bashkëkohorët, si Qosja, Kadare, etj., duke përjashtuar autorë që kanë qenë vetëm homo poeticus, si Lasgushi, Mjeda etj.”.
Dikotomia shekullore
Për të treguar se raporti politikë-letërsi ka qenë i hershëm në Shqipëri dhe e ka ndjekur atë në histori si një bekim-mallkim, studiuesi Sabri Hamiti solli në vëmendje dy ngjarje të mëdha të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, që janë ardhja në Shqipëri e “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe të shpatës së Skënderbeut. Shpata dhe pena do ta ndiqnin pas autorin shqiptar, që nga koha e Buzukut, madje edhe më herët, që në Formulën e Pagëzimit (1462) dhe atë të Mallkimit (1483). E kjo dikotomi do të vijonte brez pas brezi, që nga kryengritësit Budi e Bogdani, te rilindësit, tek kritikët Fishta, Konica e Noli, për të mbërritur te Demaçi, Kadareja e Qosja. Hamiti do të analizonte raportin e autorit me autoritetin, autoritarizmin, ideologjinë e kur këto të fundit marrin frenat, letërsia është e humbur.
Për pedagogun dhe studiuesin Bashkim Kuçuku, “homo politikus e ka ‘ngrënë’ homo poeticus”. Për të mbështetur këtë përfundim të tijin, Kuçuku mori në shqyrtim një sërë autorësh, si Kadare, Pashku, Camaj etj., të cilët të angazhuar ose jo në jetën politike e sociale të vendit, pavarësisht karakterit të tyre të tërhequr ose jo, kanë shkruar vepra të angazhuara. Sipas Kuçukut, pavarësisht larmisë së mënyrës së shprehjes, letërsia shqiptare ka pasur një brendi të njëanshme, politike.
Pedagogu Eljon Doçe e bën edhe më konkrete temën, duke zbërthyer filozofinë politike të Migjenit, përmes një analize semiotike të poezisë “Recitali i malësorit”, që sipas tij “është vetëm njëra nyje e vullnetit për pushtet (vullneti politik), po ndoshta edhe më e rëndësishmja për shkak se aty, sipas të gjitha shenjave, përmblidhet e gjithë filozofia politike e Migjenit, e cila vë përballë dy entitete: malësorin, pra subjektin politik, pushtetin anonim (malin) dhe midis tyre mjetin politik përmes së cilit ky subjekt kërkon të “grushtojë” pushtetin: (i cili është) ligjërimin”. Studiuesi Kujtim Rrahmani nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në kumtesën e tij “Autori dhe heroi: Shtegtari, hanxhiu dhe ushtari”, vuri në dukje filozofinë e “qërimit të hesapeve” në veprat e një pjese të mirë të autorëve më në zë të letërsisë shqipe.