Homoseksualizmi, largohet nga banesa familja e Klodit të BB-së
Familja e Klodian çelës, djalit që deklaroi hapur homoseksualitetin e tij në programin televiziv “Big Brother”, për shkak të kërcënimeve të hapura ndaj jetës së tyre, është shpërngulur nga qyteti i Lezhës. Destinacioni mbetet i fshehtë.
është njoftuar zyrtarisht që sot do të ndodhen për një vizitë në Lezhë, ku do të flasin lidhur me këtë çështje, ambasadori amerikan dhe ai gjerman. Në bibliotekën e qytetit, ambasadori amerikan, John Withers, dhe ai gjerman, Bernard Borchard, pritet të bëjnë një deklaratë publike mbi këtë çështje. Bashkë me ta do të jenë edhe përfaqësues të qeverisë dhe pushtetit vendor, si dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, bashkë me përfaqësues nga shoqëria civile.
Sipas shoqatës “LGBT”, e cila ka reaguar dje në mënyrë të menjëhershme pas publikimit të lajmit, shpërngulja e një familjeje të nderuar shqiptare, për shkak të deklarimit hapur të seksualitetit të një individi, është një shfaqje ekstreme dhe e hapur se të drejtat e njeriut në Shqipëri, dinjiteti dhe vlerat njerëzore, nuk mbrohen, respektohen dhe garantohen.
“Ndonëse bëhen javë që institucionet më të larta shtetërore, si qeveria, Parlamenti, Bashkia Lezhë dhe partitë politike në Shqipëri janë vënë në dijeni të rrezikut që i paraqitej jetës dhe mirëqenies së në familjeje të thjeshtë shqiptare, askush nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve nuk doli publikisht në mbrojtje të jetës dhe të drejtës së një individi dhe një familjeje, por përkundrazi në mënyrë të heshtur u bë pjesë e shfaqjes më të shëmtuar të homofobisë shtetërore të të gjitha niveleve”, sqaron zyrtarisht shoqata.
“TURP! Kjo është fjala e vetme që sot mund t’u drejtohet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, që nuk reaguan kundër dhunës verbale dhe kërcënimeve publike dhe të hapura kundër një familjeje shqiptare. Sot me këtë veprim të heshtur janë goditur të gjitha familjet shqiptare; të gjitha familjet që i mësojnë fëmijët e tyre, djemtë dhe vajzat, që të jenë vetvetja, të kenë dinjitet dhe të pranojnë të jenë njerëz të vërtetë”, sqaruan zyrtarisht përfaqësuesit e “LGBT”-së.
Sipas reagimit zyrtar të kësaj strukture, është turp për një pjesë të shoqërisë civile në Shqipëri që, në vend që të promovonte hapur dhe në mënyrë civile bashkëjetesën dhe respektin ndërmjet qytetarëve, në disa raste u bashkua në mënyrë të frikshme dhe të pështirë me protestat ku u promovua gjuha e urrejtjes, dhunës dhe inkuizicionit publik kundër minoriteteve seksuale në Shqipëri. “TURP! Për frikën dhe neglizhencën qytetare që qyteti i Lezhës tregoi në mosmbrojtjen e një familjeje, duke u dhënë jetë turmave homofobe të kërcënojnë sot jetën dhe mirëqenien tonë, të drejtën tonë për të folur, për të informuar, për t’u shprehur”, deklaroi dje zyrtarisht shoqata “LGBT”.
#