E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqet kundër abuzimeve të priftërinjve

Ndërkohë që në ShBA ka mundësi të hapen gjyqe ndaj priftërinjve, Selia e Shenjtë shpreh qëndrimin e saj Vatikani: Papa ka imunitet si kryetar shteti

Papa Benedikti, i akuzuar në mënyrë të vazhdueshme nga shumë viktima të abuzimit të fëmijëve, për përgjegjësi në mbulimin e shumë rasteve flagrante, nuk mund të thirret për të dëshmuar në ndonjë gjyq të mundshëm, për shkak të imunitetit që ka si kryetar i shtetit të Vatikanit. Këtë e ka bërë të ditur dje kreu i Gjykatës së Vatikanit, në një intervistë për një të përditshme italiane. Ndërkohë, po dje Papa ka nisur shërbimet e Pashkëve që do të fillojnë të dielën. Në lutjen e tij të djeshme ai nuk u është referuar akuzave të përditshme për abuzime fizike dhe seksuale të të miturve nga ana e priftërinjve, si dhe për mbulim të mundshëm nga ana e tij të këtyre rasteve flagrante. Për sa i përket kreut të Gjykatës së Vatikanit, ai tha se strategjia e Selisë së Shenjtë është mbrojtja e Papës nga detyrimi për të dëshmuar në çështje të ndryshme lidhur me abuzimin seksual, çështje të cilat duket se po shqyrtohen në sistemin ligjor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Papa është sigurisht një kryetar shteti, që ka të njëjtin status juridik me të gjithë krerët e shteteve”, ka deklaruar juristi. Avokatët që përfaqësojnë viktimat e abuzimeve seksuale nga priftërinjtë në disa raste të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë deklaruar se do të donin që Papa të dëshmonte në gjyq për të provuar që Vatikani kishte treguar shumë neglizhencë. Por Papa është i mbrojtur nga imuniteti diplomatik që gëzon një kryetar shteti i një vendi sovran. Sipas juristit të Vatikanit, kisha nuk është një kompani shumëkombëshe dhe Papa ka supremaci shpirtërore ndaj kishës, ndërkohë që çdo peshkop është përgjegjësi kryesor për drejtimin e dioqezës. Ndërsa skandali ka shpërthyer në shumë vende të Europës, peshkopët po përpiqen që të minimizojnë dëmin duke organizuar takime të veçanta me katolikët e zhgënjyer. Të premten, në Vjenë, kardinali Schoenborn, në një takim shumë emocional tha se kisha katolike në tërësi duhet që të pranojë fajin e saj dhe përgjegjësinë kolektive për abuzimet seksuale të kryera nga disa prej anëtarëve të saj. Ndërkohë, po dje shumë kardinalë i kanë dalë në mbrojtje Papës dhe janë shprehur kundër një pjese të medias amerikane, për mënyrën se si e ka trajtuar çështjen e abuzimeve. Marrëdhëniet mes kishës dhe medias janë ashpërsuar shumë dhe dy ditë më parë kisha ndërmori një sulm të ashpër edhe ndaj “New York Times”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›