E Shtunë, 31 Tetor 2026

Honduras, Zelaya vendos kushte për bisedime

Presidenti i rrëzuar i Hondurasit Manuel Zelaya tha të mërkurën se ai pret që udhëheqësit ushtarakë të grushtit të shtetit të muajit të kaluar të njoftojnë në 24 orët e ardhshme se do të dorëzojnë pushtetin për të lejuar rivendosjen e tij. Pas mbërritjes në Kosta Rika për bisedimet e së enjtes me rivalët e tij, nën ndërmjetësimin e presidentit të Kosta Rikës Oscar Arias, Zelaya përsëriti qëndrimin e tij se ai do të diskutojë vetëm kthimin e tij në detyrë në vendin e varfër të Amerikës Qëndrore.
" Prezenca ime këtu nuk është një negociatë", tha Zelaya për gazetarët. Ai vuri në dukje se bota e kishte dënuar gjërësisht grushtin e 28 qershorit, i cili vendosi Roberto Micheletti si një president në kujdestari.
Zelaya i cili këmbëngul se vetëm rikthimi i tij i menjëhershëm në detyrë mund të rivendosë rendin në kombin e tij eksportues të kafes dhe tekstileve, e quajti Mivheletti një shitës grushti shteti dhe tha se ai pret që rivalët e tij të njoftojnë se ata janë duke dorëzuar pushtetin brenda një dite.
Ai tha se ky veprim do të ishte gjëja më e nderuar për demokracinë në Amerikën Latine.
Arias, një fitues i çmimit "Nobel" për paqen dhe një ndërmjetësues me eksperiencë në rajon, do të presë sot bisedimet që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për krizën e shkaktuar nga grushti i shtetit në Honduras, e cila ka nxitur tensione në Amerikën Qëndrore.
Gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara do të përballen me një provë të madhe lidhur me premtimin e presidentit Barack Obama për të përmirësuar marrëdhëniet me Amerikën Latine dhe Organizata e Shteteve Amerikane është në mbështetje të ndërmjetësimit.
Micheletti i cili u vendos në krye nga Kongresi Kombëtar, ra dakort për bisedimet në San Hoze, por ishte i druajtur në lidhje me faktin nëse ai do të merrte pjesë personalisht apo do të dërgonte përfaqësues. Ai tha se ishte konsultuar me ndihmësit në lidhje me sigurinë.
Micheletti ka thënë se ai nuk do të negociojë për kthimin në pushtet të presidentit të rrëzuar, duke insistuar se heqja e tij ishte një mbrojtje e kushtetutës dhe se Zelaya ishte duke vepruar në mënyrë të paligjshme duke u përpjekur për të hequr kufijtë e termit presidencial.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›