Horror në Tiranë, gruaja e goditi vjet me sëpatë, burri u hakmor dje me shtatë thika

Hyrie Bruka
Tetë muaj më parë, një nënë me katër fëmijë goditi të shoqin me sëpatë në kokë për vetëmbrojtje. Por hakmarrja e ish-të shoqit ka qenë edhe më e rëndë pasi dje ai i ka ngulur asaj shtatë thika. Qazim Bruka, i mbetur i plagosur rëndë nga goditja me sëpatë në kokë gushtin e shkuar, është hakmarrë ndaj ish-të shoqes, Hyrie Bruka, 31 vjeç. Kjo e fundit jetonte tek shtëpia e të vëllait bashkë me katër fëmijët. Por dje aty ia ka behur Qazimi, i cili e ka goditur shtatë herë me thikë. Njëri sy i ka dalë jashtë funksionit Hyries për shkak të goditjeve. Por edhe vetë Qazimi ka mbetur i plagosur pasi është goditur me thikë nga Hekuran Bici, vëllai i Hyries dhe ish- kunat i Qazimit.
Kur e bëri plagosjen në gusht, Hyria pati deklaruar në polici se i shoqi i dhunonte sistematikisht atë dhe fëmijët. Pasi e goditi të shoqin me sëpatë, Hyria bashkë me katër fëmijët shkoi dhe u dorëzua në polici. Ajo nuk qëndroi shumë në qeli për shkak se krimin e kishte krye për vetëmbrojtje. Prokuroria vendosi ta procedojë në gjendje të lirë.