E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, 40 milionë dollarë në 6 muaj

Në muajt e parë të vitit, tregu i sigurimeve arriti në 4 miliardë lekë, ose 27% më shumë se në 2008-ën

TIRANË-Gjashtëmujori i parë i këtij viti ka qënë shumë i begatë për kompanitë e sigurimeve në Shqipëri. Të dhënat që ofron Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, raportojnë për një zgjerim të ndjeshëm të këtij tregu gjatë muajve Janar- Qershor 2009, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, duke rritur ndjeshëm edhe portofolin e të ardhurave të kompanive të sigurimeve.


Sipas raportit të AMF-së, gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, janë lidhur rreth 363 mijë kontrata sigurimi duke gjeneruar në total rreth katër miliardë lekë. Kjo shifër është 27 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2008.


Rritja e numrit të kontratave dhe e të ardhurave gjithashtu, është pasqyruar edhe në shtimin me 23 për qind, të shumës së dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar ndaj klientëve të tyre.


Operatorët e tregut kanë nxjerrë nga portofoli rreth 788 milionë lekë për të mbuluar dëmet e përcaktuara në kontrata. Nga këto, pjesa më e madhe i përket sigurimeve motorike me 700 milionë lekë, ose 89 për qind të totalit të dëmeve të paguara bruto.


Pavarësisht ndryshimeve të lehta të treguesve në krahasim me vitin e kaluar, në totalin e sigurimeve, dominojnë ato të detyrueshme, duke zënë 52 për qind të tregut kundrejt 48 për qind të sigurimeve vullnetare. Vendi ynë vazhdon ende të mos ketë të krahasuar me shtetet e rajonit apo të Evropës në lidhje me nivelin mesatar të sigurimeve për person, pavarësisht se ky treg ka njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.


Sigurimet vullnetare shënojnë një rritje me dy për qind gjatë këtij gjashtë mujori në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zënë 48 për qind të totalit të sigurimeve, në raport me 52 për qind që zënë ato të detyrueshme.


Me gjithë se pozitive, kjo tendencë drejt zgjerimit të tregut të sigurimeve vullnetare, më shumë se me ndërgjegjësimin e qytetarëve për të siguruar me dëshirë pronat e tyre, lidhet me kushtëzimin që bankat tregtare u bëjnë klientëve të tyre për sigurimin e kolateralit para lëshimit të kredive për këta të fundit

Të dhëna
363 mijë kontrata të lidhura
4 miliardë lekë volumi i tregut
788 milionë lekë dëme të paguara
52 % të tregut e zënë sigurimet e detyrueshme
48 % të tregut e zënë sigurimet vullnetare
10 euro\person është mesatarja e sigurimit të shqiptarëve


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›