Hotel Tirana rishitet për 21 milionë euro
Dhjetë aksionerët e “Hotel Tirana”, simboli i hotelerisë shqiptare, i kanë shitur aksionet e tyre kundrejt shumës 21 milionë euro, kompanisë së ndërtimit të rrugëve “GECI”. Edhe pse janë kohë të vështira, prapë se prapë në realitetin e biznesit shqiptar shënohen ngjarje të rëndësishme, ngjarje që janë në përputhje me logjikën dhe dinamikën e tij. Shitja e “Hotel Tirana International” ose siç quhet ndryshe ’15-katëshi’ përbën një transaksion të konsiderueshëm në këtë kohë krize. GECI sh.p.k bëhet pronare e vetme e këtij hoteli, duke ndryshuar në këtë mënyrë bashkëpronësinë e saj të deritanishme me 10 individë aksionerë, sikurse ishin Luan Leka, Luan Duraj, Lutfi Nuri, Arben Meçaj, Isuf Ferra, Diana Gambeta, dhe tri kompani, konkretisht ‘Salillari shp.k’, me pronarë Pëllumb Salillarin dhe Isuf Ferrën; ‘Lani sh.p.k’ me pronar Vladimir Kostën dhe TEALK-Alb me pronar Tahir Muhedinin. Kjo shitje pason atë të kryer në vitin 2004, vit kur “Tirana International Hotel”, si rrjedhojë e një procesi të drejtuar nga BERZH, kaloi nga pronësia shtetërore nën pronësinë dhe menaxhimin e një kompanie shqiptare, të ngritur enkas për veprimtari hoteliere e që quhej ‘Albania Consortium’. E përbërë nga 25 aksionerë e konkretisht nga “2K” Group, “TEALK-ALB”, Ram Geci, “Riviera”, “Anakonda”, Aleksandër Pilo, Muhamet Malo, Arben Meçaj, “T.I.D”, Luan Bregasi, Vasil Naçi, Diana Gambeta, Luan Leka, “Albania Drink Distribution, “Euro Free”, “Anoil”, “Banka Popullore, “A.I.B.A, “ Lani”, Ylli Braka, Luan Duraj, “Salillari”, “KBA”dhe Aleksandër Kalivopulli”, Ibrahim Aksoi, ‘Albania Consortium’ ia doli të ishte fituese e një ankandi, ku fillimisht kishin treguar interes rreth 50 kompani të ndryshme.