Berisha shtyn me dy muaj rivlerësimin e banesave
Të gjithë qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë rivlerësimin e banesave të tyre deri më tani sipas ligjit të faljes fiskale, i cili duhet të përmbyllte procesin deri më 31 dhjetor 2011, do të mund të bëjnë rivlerësimin deri në fund të muajit shkurt 2012.
Në qoftë se do të shesësh shtëpinë apo do të kryesh transaksione kredie me bankën dhe do të të duhet të paraqesësh hipotekën, domosdoshmërisht duhet të dish vlerën e tregut të apartamentit që zotëron. Këtë hap mund ta kryesh vetëm me 1% të vlerës së tarifës së tregut të apartamentit, pasi është ende në fuqi ligji i faljes fiskale, i cili do të mbesë i vlefshëm deri në fund të muajit shkurt 2012. Kreu i qeverisë Berisha, në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar demokrat, deklaroi se ligji i faljes fiskale për rivlerësimin e pasurive do të shtyhet me dy muaj përtej afatit të përcaktuar. “Dua t’ju informoj se qeveria do të sjellë brenda ditëve tek ju një akt normativ, me të cilin ne do të shtyjmë edhe dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave në tërësi dhe të ndonjë pasurie tjetër, për arsye se ky proces i faljeve ka ecur në mënyrë të shkëlqyer, por siç e kemi ne, që shumë presim deri para fundit apo fundin, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive dhe është faktikisht krejt i pamundur përballimi i këtij vëllimi, ndaj dhe kemi diskutuar dhe vendosëm që t’ua sjellim aktin normativ për të shtyrë deri në ditën e fundit të muajit shkurt këtë proces”, - u shpreh kryeministri Berisha. Duke iu referuar të dhënave nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, kreu i qeverisë theksoi se “vetëm banesa janë rivlerësuar në një shumë prej rreth 700 milionë dollarësh dhe kanë përfituar mbi 14 mijë familje, por janë në një dyndje reale në zyrat e regjistrimit të pasurive, kështu që ne gjykuam se janë edhe emigrantët që kthehen dhe kjo do të ishte një lehtësim për ta, ndaj dhe ky akt është i domosdoshëm”. Me një akt të posaçëm normativ që pritet të dalë këto ditë, ata që kanë bërë deklarimin deri më 31 dhjetor, do të mund të kryejnë pagesat dhe të marrin vërtetim hipoteke me vlerën e re edhe gjatë vitit 2012. Ky veprim do të ndërmerret nga qeveria me qëllim që të mos rëndohet dyndja e madhe e njerëzve për rivlerësimin e banesave të tyre. Për rivlerësimin e banesës nuk janë të interesuar vetëm ata që nuk kanë hipotekë, por edhe persona të tjerë që kanë blerë me herët banesat e tyre. Personat që priten të drejtohen në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive për rivlerësim, do të procedojnë duke paraqitur kërkesën për rivlerësim të pasurisë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin e aplikimit. Ata mund të zgjedhin vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ZVRPP-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që brenda datës 31 dhjetor 2011, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është si më poshtë. Nga kjo e drejtë përfitojnë të gjithë shtetasit që zotërojnë pasuri të paluajtshme pa asnjë kufizim.
2. Individi paraqet kërkesën për rivlerësim të pasurisë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin e aplikimit sipas shtojcës nr.3 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ZVRPP-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.
3. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit të aplikimit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe aktvlerësimi i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe vulosur nga vlerësuesi i pasurisë.
4. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë zyra vendore e regjistrimit të pasurisë me çmimet minimale fiskale që aplikohen për vitin 2011, në bazë të udhëzimit të përbashkët midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, udhëzimi nr.9, datë 26.2.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”, të ndryshuar.
5. Aplikuesi apo përfaqësuesi i tij me prokurë, paraqitet personalisht, me dokument
identifikimi pranë ZVRPP-së dhe depoziton në dy kopje formularin e aplikimit te punonjësi i ZVRPP-së. Ky i fundit shqyrton të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentacionin bashkëlidhur (nëse ka). Nëse të dhënat janë të sakta, punonjësi i ZVRPP-së nënshkruan formularin e aplikimit dhe një kopje të tij ia jep aplikuesit. Nëse ka pasaktësi në plotësim, fton aplikuesin t’i korrigjojë. Brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës për aplikim për rivlerësim të pasurisë, zyra vendore e regjistrimit të pasurive plotëson pikën 4 të formularit me vlerën e pasurisë sipas çmimit të kontratës së shitblerjes, si dhe llogarit masën e tatimit me burim prej 1%, duke plotësuar pikën 5 të formularit të aplikimit. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e regjistrimit të pasurisë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përdoret metodika e përcaktimit të çmimit minimal fiskal në blerje sipas udhëzimit nr.9, datë 26.2.2008, të ndryshuar.
a) ZVRPP-ja dërgon me postë, në adresën e shënuar nga aplikuesi, kopje të formularit të aplikimit, duke i bërë me dije aplikuesit se, që të vazhdojë procedura e rivlerësimit duhet të paguajë tatimin 1% të rivlerësimit, sipas pikës 5 të formularit të aplikimit. Me marrjen e formularit të aplikimit nga ZVRPP-ja, aplikuesi paguan në bankë, për llogari të thesarit të shtetit, tatimin 1% dhe ia bashkëlidh formularit të aplikimit. Me marrjen e mandatpagesës së tatimit nga aplikuesi, ZVRPP-ja bën ndryshimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë;
b) Në rast se individi do të bëjë shitjen e pasurisë pas rivlerësimit, tatimi për kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi. Në rast se kjo diferencë është negative, individi nuk paguan tatim.
6. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën pasuri shpjeguar më lart.
Rivlerësimi i pasurive, dyndje në Hipotekë
Qytetarët, të painformuar më parë, në ditët e fundit të përfundimit të afatit të procesit të faljes fiskale e kanë kuptuar rëndësinë e rivlerësimit të pasurisë. Në zyrat e Hipotekës, po ashtu edhe pranë agjencive imobiliare kanë nisur dyndjet për rivlerësimin e banesave dhe të pasurive të paluajtshme në tërësi. Në qoftë se ligji i Faljes Fiskale nuk do të ishte miratuar, për objektin kalim pronësie këta persona do të paguanin një detyrim 10%, që do të thotë se buxheti i shtetit do të kishte 10-fish të ardhura më shumë. Në këtë rast, me një llogaritje të thjeshtë rezulton se deri në fund të qershorit 2011, buxheti i shtetit do të kishte të hyra nga kalimi i pronësisë 180 milionë lekë, që do të thotë se ai u ka falur qytetarëve 162 mln lekë. Në qoftë se deri në 31 dhjetor 2011, periudhë kohore në të cilën shtrihet aplikimi i ligjit për faljen fiskale, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të shkojë me këto ritme, në arkën e shtetit do të hyjnë 110 mln lekë. Rivlerësimi llogaritet me formulën 1% (çmimin e rivlerësimit-çmimin e blerjes), ndërsa kalimi i pronësisë 10% (çmim reference- çmim blerjeje). Ndërkaq, neni 27 i Ligjit për Faljen Fiskale parashikon që të gjithë shtetasit, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që brenda afatit të veprimit të këtij ligji të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkaq, në rast se shtetasi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh dhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Nga ana e saj, Zyra përkatëse e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme llogarit diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së pasqyruar në akt-ekspertim dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim. Kurse, në rast se shtetasi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me çmimet minimale fiskale, atëherë ky fakt shprehet në aplikimin e tij për rivlerësim dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme llogarit diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale, si dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim. Tarifa që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 1% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit me vlerën e kontratës së regjistruar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë si vlerë regjistrimi në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të tatohen 10 herë më shumë për të fituar hipotekën e shtëpisë së tyre, në krahasim me ata qytetarë që e kanë kontratën e shitblerjes dhe legalizimit të apartamentit. Pra ata do të paguajnë tatimin e kalimit të pronësisë. Aktualisht, ZRPP ka aplikuar edhe faljen e detyrimeve tatimore të rezultuara nga auditimi i KLSH-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, si pasojë e llogaritjes gabim të detyrimeve dhe tatimeve.