E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësisht shiut, vendi do furnizohet me energji

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje se qeveria do të importojë energji elektrike për të përballuar situatën emergjente në vend, duke shtuar se po pati nevojë, për këtë do të modifikohet dhe buxheti i shtetit për vitin 2012. “Ne i përmbahemi parimit se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe nuk do të ndërpritet energjia për asnjë orë për shkak të çmimit”, - ka theksuar Berisha. “Qeveria është detyruar javën që shkoi të miratojë një akt normativ për një kredi 50 milionë dollarë. Nuk mund të parashikojmë se si do të jetë, pasi kjo thatësirë nuk ishte parashikuar. Nëntori ishte parashikuar me reshje të shumta, por nuk ka pasur shumë, këto janë punët e Zotit, nuk i kemi ne në dorë. Ne kemi në dorë që qytetarët të mos bien në errësirë, ndaj dekretuam kredinë dhe në çdo rrethanë garantoj se buxhetit do t'i bëhet çdo modifikimi i nevojshëm dhe vendi të mos shkojë deri në ndërprerje energjie, ajo kohë nuk do kthehet më”, - tha Kryeministri. Sipas tij, kjo çështje cilësohet urgjente, pasi nga reshjet e rëna, nivelet e liqeneve në HE-et kryesore të vendit nuk janë mbushur. “Deri para pak ditësh, Alpet e Zvicrës dhe Austrisë kanë qenë pa borë. E vërteta është se liqenet në HEC-e kanë qenë në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Pavarësisht nga kjo, për t'i mbushur ato jemi larg, ndaj urgjent importi që do të kushtojë”. Por, sipas Kryeministrit, pavarësisht shpenzimeve, borxhi publik nuk do të rritet. “Megjithatë me gjithë këto, kam kënaqësi t’ju njoftoj se me ato ndërhyrje që kemi bërë në buxhet dhe shkurtimet e shpenzimeve në qershor, prapë së prapë borxhi jo vetëm që nuk rritet ne raport me vitin e kaluar, por do ketë rënie të lehtë këtë vit. Nga 59.7 % që ishte një vit më parë, këtë vit pritet të mbyllet me 59%. Por, mos qe ky akti i fundit normativ do ishte më mirë akoma, por kjo ishte emergjencë dhe ne e kemi përcaktuar dhe do e marrim këtë vendim”, - u deklaroi Berisha, deputetëve të PD-së në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie. Thatësira në hidrocentrale ka bërë që qeveria shqiptare të importojë energji deri më 17 milionë kilovat/orë. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit, kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se do të vendoset në punë TEC-i i Vlorës për të zbutur situatën me energjinë në vend.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›