E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: 96% e kërkesave në AIDSSH janë mbyllur, fokusi kryesor digjitalizimi

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Anëtari i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Altin Hoxha deklaroi sot, në prezantimin e veprimtarisë së këtij institucioni për vitin 2024 në Kuvend se, për vitin 2024 fokusi kryesor ishte digjitalizimi dhe deklasifikimi i arkivave.

“Digjitalizimi dhe deklasifikimi i arkivave ishin drejtimet kryesore të punës për të informuar më mirë, më shpejt dhe në mënyrë më cilësore qytetarët, studiuesit dhe mediet”, tha Hoxha.

Ai theksoi se, synim tjetër ishte pasurimi i arkivës duke kërkuar për të shtuar me elementë të tjerë arkivorë.

Po ashtu, Hoxha u shpreh se, në fokus ishte edhe, “identifikimi i vendvarrimeve të reja të dyshuara për të zhdukurit në diktaturë përmes hetimeve administrative dhe atyre në terren në bashkëpunim me familjarët, me pushtetin lokal, në drejtim të ruajtjes, të mostjetërsimit të vendeve të dyshuara”

Hoxha gjithashtu nënvizoi se, “informimi i qytetarëve u bë më cilësor dhe më i shpejtë edhe pse numri i kërkesave në vitin 2024 ishte më i lartë se 1 vit më parë”.

Ai shtoi se, identifikimi i figurave për emërime në detyra të larta ka vijuar me intensitet edhe gjatë vitit 2024.

“Procesi ka përfshirë të zgjedhurit në organet legjislative dhe ato të qeverisjes vendore si dhe bashkëpunimin në pushtetin lokal për dhënien e titujve të nderit dhe për emërtimet e hapësirave publike”, tha ai.

Hoxha u shpreh se, “gjatë vitit 2024 është vërejtur një rritje e ndjeshme e kërkesave në këtë fushë, çka dëshmon për rritjen e ndërgjegjësimit institucional dhe publik mbi rëndësinë e verifikimit të figurës në proceset e vendimmarrjes dhe të kujtesës institucionale”.

Po ashtu, ai theksoi se, bashkëpunimi ndërinstitucional me institucionet brenda vendit dhe ato ndërkombëtare ka njohur progres.

Hoxha u shpreh se, “gjatë vitit 2024 AIDSSH ka vijuar grumbullimin e materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, duke pasuruar fondin me rreth 3200 njësi arkivore, ose rreth 55 mijë fletë, si dhe me rreth 5700 kartela për të siguruar një kërkim sa më të plotë për qytetarët dhe studiuesit”.

“Në kuadër të projektit të kartotekës janë regjistruar rreth 204 532 të dhëna të reja kërkimi, çka e ka bërë procesin e kërkimit më efikas dhe më të aksesueshëm”, tha ai.

Në drejtim të deklasifikimit, vijoi Hoxha, “janë përpunuar rreth 17 300 njësi arkivore që përkojnë përkatësisht me rreth 1 096 700 fletë dokumente. Për periudhën 2022-2024 numri i dokumenteve të deklasifikuara ka arritur në rreth 1 408 537 fletë arkivore”.

Sa i përket procesit të digjitalizimit, ai tha se, “nga viti 2017 deri në vitin 2024 janë dixhitalizuar rreth 3 743 876 njësi arkivore, duke dyfishuar fondet e digjitalizuara gjatë 2 viteve të fundit dhe duke krijuar një arkivë dixhitale dhe të aksesueshme për publikun dhe studiuesit”.

Sa i përket informimit të qytetarëve, Hoxha tha se, “në këtë vit janë regjistruar rreth 503 kërkesa të reja dhe janë mbyllur në total rreth 535, duke përpunuar rreth 80 474 faqe dokumentacioni, prej të cilave 20 248 janë anonimizuar”.

Ai theksoi se, nga fillimi i punës së Autoritetit deri në 31 dhjetor 2024 janë trajtuar gjithsej rreth 3700 kërkesa, nga të cilat janë mbyllur rreth 3547, ose 96%.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›