E Diel, 1 Nëntor 2026

VARSHAVË – Polonia nis trajnimet ushtarake për të gjithë qytetarët

VARSHAVË, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Një program pilot për një projekt që do të ofrojë trajnime ushtarake vullnetare për të gjithë polakët do të fillojë më 22 nëntor, tha sot ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, në Varshavë.

Programi “Në gatishmëri” synon të trajnojë 400 000 civilë vitin e ardhshëm.

“Po jetojmë në kohët më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Një luftë po shpërthen përtej kufijve tanë, ka akte sabotimi në Detin Baltik dhe beteja në hapësirën kibernetike”, tha Kosiniak-Kamysz duke iu referuar qartë pushtimit të plotë rus të fqinjit të Ukrainës.

Ministria e Digjitalizimit postoi në X se programi përbëhej nga katër module, duke marrë bazat mbi sigurinë, mbijetesën, ndihmën e shpejtë dhe sigurinë kibernetike.

Trajnimet do të zhvillohen në fundjavë dhe në përgjithësi do të zgjasin një ditë.

Civilët do të jenë në gjendje të rezervojnë trajnimet që i interesojnë në lagjen e tyre nëpërmjet një aplikacioni.

Kompanitë do të organizojnë trajnime në grup për stafin e tyre.

“Trajnimet e mbrojtjes nuk duhet të krahasohen me shërbimin në ushtri. Ato nuk përfundojnë me një betim ose regjistrim në listën e rezervistëve”, tha ministria.

Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është një nga aleatet më të ngushta të Ukrainës dhe është gjithashtu një qendër për furnizimet ushtarake perëndimore në Kiev. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›