Abazoviç: Uniteti shqiptar, çelës për mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin europian

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Ish-kryeministri dhe deputeti i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, deklaroi në Samitin IV të Diasporës se bashkëpunimi dhe uniteti i shqiptarëve në rajon është thelbësor për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si dhe për procesin e integrimit europian.
Në fjalën e tij në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?”, Abazoviç theksoi se, shqiptarët duhet të dalin me një mesazh të përbashkët dhe të koordinuar në të gjitha vendet ku jetojnë.
“Nëse nga ky samit niset një mesazh i përbashkët, ai duhet të jetë se kur të shkojmë në shtetet e rajonit apo në botë duhet të jemi unik në mbrojtje të të drejtave tona”, u shpreh ai.
Abazoviç u ndal veçanërisht te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar nevojën për mbështetje të vazhdueshme në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të fituara.
“Të drejtat e arritura nuk mund të kthehen prapa. Ato mund vetëm të avancohen. Duhet të jemi të bashkuar që të tregojmë se regresi nuk është i pranueshëm”, deklaroi ai.
Sipas tij, mbrojtja e këtyre të drejtave kërkon angazhim të gjerë institucional dhe shoqëror, përfshirë politikën, organizatat joqeveritare, universitetet dhe intelektualët.
Duke folur për procesin e integrimit europian, Abazoviç vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë një perspektivë të përbashkët drejt Bashkimit Europian.
“Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një ide të përbashkët dhe jam i kënaqur që kjo është nënvizuar si një arritje e madhe politike. Ne duhet të integrohemi në Bashkimin Europian dhe aty do të takohen të gjithë popujt e rajonit”, u shpreh ai.
Ai shtoi se vendet e rajonit duhet të mbështesin njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit, pavarësisht ritmeve të ndryshme të procesit.
“Nëse nuk bashkëpunojmë, rrezikojmë konfliktin. Bashkëpunimi është e vetmja rrugë e qëndrueshme”, theksoi Abazoviç.
Ai u shpreh se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian dhe se shqiptarët luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces.
“Ardhmëria jonë është në BE”, deklaroi Abazoviç.
/gj.m/j.p/