Hoxha: Futja e Presidentit ishte provokim. Hyri si ambulancë bosh

Jeta parlamentare në Shqipëri ndodhet në një ngërç, të cilin opozita pretendon se e ka krijuar shumica me qëndrimet e njëanshme, ndërsa qeveria e mendon “prej një opozite bllokuese”.
Situata jonormale, kaotike, u pa të hënën edhe në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Në emisionin “3D” në RTSH, demokrati Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ia kaloi fajin edhe presidentit që nuk “arriti të dalë mbi palët”.
“Presidenti i Republikës ka një rol kushtetues, të cilin ai nuk ka zgjedhur ta përfaqësojë. Kur shikohet që opozitës i mohohet roli i saj futja e presidentit në parlament ishte një provokim. Ai duhet të zbatojë Kushtetutën dhe sot zgjodhi të mbyllë gojën. Është privuar roli kushtetues i parlamentit. Prej dy vitesh e ca po bëhet luftë me opozitën. Kur z. [Sali] Berisha bënte kërkesa, ishte z. [Taulant] Balla që thoshte se nuk e njohim. Prandaj presidenti mund të thuhet se është departament i Partisë Socialiste, i vetmi institucion që kishte zgjedhur të mbyllte gojën,” u shpreh z. Hoxha.
/rtsh.al/