E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxha: Shqipëria ende pa regjistër të plotë të diasporës, synohet platformë e përbashkët me Kosovën

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Samitin IV të Diasporës se Shqipëria nuk ka ende një regjistër të plotë të diasporës, ndërsa theksoi nevojën për ndërtimin e një platforme të përbashkët dhe më funksionale.

I pyetur në panelin “Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?” mbi numrin e shqiptarëve jashtë vendit dhe regjistrimin e tyre, Hoxha pranoi vështirësitë e deritanishme.

“Nuk kemi regjistrimin e nevojshëm të diasporës dhe nuk kam turp ta pranoj që nuk ia kemi dalë ta bëjmë. Nuk kemi gjetur dot mënyrën dhe platformën për këtë proces, pasi është një element delikat”, u shpreh ai.

Sipas tij, përpjekjet për krijimin e një regjistri kanë qenë të kufizuara në rezultate, përfshirë edhe një platformë që nuk ka funksionuar dhe regjistrimin vullnetar me shifra modeste.

“Kemi tentuar me platforma të ndryshme dhe kemi punuar për një regjistrim vullnetar përmes Agjencisë Kombëtare të Diasporës, por jemi ende në shifra jashtëzakonisht modeste”, theksoi Hoxha.

Ai nënvizoi se synimi është krijimi i një platforme të përbashkët me institucionet e Kosovës, duke shmangur mbledhjen e të dhënave sensitive dhe duke u fokusuar te profilizimi profesional i diasporës.

“Na intereson të dimë kush janë, në çfarë industrie janë dhe si mund të kontribuojnë. Nuk mund të hartojmë politika për diçka që nuk e njohim mirë”, deklaroi ministri.

Hoxha theksoi rëndësinë e krijimit të besimit te diaspora për këtë proces, duke e konsideruar regjistrimin si një mjet për të ndërtuar politika më efektive.

“Duam të krijojmë besim që regjistrimi do të japë një pasqyrë të qartë si për diasporën, ashtu edhe për institucionet”, u shpreh ai.

Në lidhje me përfaqësimin politik, ai theksoi se çështja po diskutohet në kuadër të reformës zgjedhore dhe kërkon konsensus mes forcave politike.

“Është një proces që i takon aktorëve politikë në Kuvend, ndërsa Ministria e Jashtme ka rolin e saj në kuadër të qeverisë”, tha Hoxha.

Duke folur për strukturat ekzistuese, ai vlerësoi rolin e Këshillit Koordinues të Diasporës, duke theksuar se ai mund të zhvillohet më tej drejt një formati më të gjerë përfaqësimi.

“Kemi testuar forma të ndryshme dhe mund të avancojmë drejt një strukture më të konsoliduar, nëse biem dakord për një model të përbashkët”, deklaroi ai.

Në aspektin e bashkëpunimit me Kosovën, Hoxha bëri të ditur se po zhvillohet një analizë mbi zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe projektet e ardhshme, përfshirë edhe infrastrukturën.

“Hekurudha me Kosovën është një nga projektet madhore. Është investim i rëndësishëm dhe kërkon kohë, por mbetet prioritet për ndërlidhjen mes dy vendeve”, tha ai.

Ai shtoi se janë zhvilluar disa mbledhje të përbashkëta qeveritare dhe po punohet për të rritur efektivitetin e bashkëpunimit.

Hoxha theksoi rëndësinë e një qasjeje më të koordinuar dhe më të harmonizuar për diasporën, si dhe forcimin e elementëve kulturorë dhe institucionalë.

“Rëndësi ka të kemi një qasje të përbashkët dhe të harmonizuar që të sjellë rezultate konkrete për diasporën tonë”, përfundoi ai.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›