Dy kroçera sjellin në Sarandë më shumë se 2300 turistë në 24 orë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në portin e Sarandës kanë mbërritur më shumë se 2,300 turistë.
Në Sarandë kanë zbarkuar kroçerat “Sapphire Princess” me 1,964 pasagjerë dhe “Europa” me 349 pasagjerë, turistët e të cilave do të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe trashëgiminë historike të jugut.
Kroçera “Sapphire Princess” rikthet për të disatën herë në brigjet e Sarandës. Kjo anije turistike është një nga kroçerat më të njohura që viziton këtë destinacion, ku u ankorua në orët e para të mëngjesit, duke tërhequr vëmendjen e banorëve dhe vizitorëve.
Porti Detar Sarandë në një postim në rrjetet sociale nënvizoi se, vizita e përsëritur e “Sapphire Princess” është tregues i qartë i rritjes së besimit të kompanive ndërkombëtare të lundrimit ndaj Sarandës, si një destinacion i rëndësishëm turistik në rajon.
Autoritetet portuale dhe institucionet përkatëse kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar një pritje sa më të mirë për vizitorët, duke siguruar një eksperiencë pozitive gjatë qëndrimit të tyre në qytet. /j.p/
1 nga 10