Hoxha në Shkodër: Të rinjtë, fytyra e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një vizitë në Shkodër në shkollën e mesme teknike industriale “Peter Mahringer”, ku është njohur nga afër me procesin e formimit profesional të nxënësve në këtë institucion me profil evropian.
Në një postim në platformën X, Hoxha e cilësoi shkollën si një model i shkëlqyer bashkëpunimi me Austrinë, një vatër mësimdhënieje evropiane, e mbështetur nga Ministria Federale e Arsimit e Austrisë, ku nxënësit shqiptarë përfitojnë arsim profesional sipas standardeve më të mira evropiane.
Sipas ministrit, në këtë shkollë teoria akademike ndërthuret me praktikën intensive, veçanërisht në fushën e teknologjisë, duke përgatitur të rinjtë për tregun modern të punës.
“Pikërisht në vende si ky, ku ndërtohen historitë e para të suksesit, pata kënaqësinë të ndaj me nxënësit mesazhin se asgjë nuk është e pamundur kur ka dedikim, përkushtim, punë dhe energji të investuara për mirë, për të ardhmen”, shkruan Hoxha.
Ai vlerësoi rolin e të rinjve si motor i zhvillimit të vendit dhe pjesë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
“Këta të rinj që sot mësojnë, aftësohen dhe krijojnë janë profesionistët dhe qytetarët e së nesërmes, forca që do të çojë përpara zhvillimin e vendit dhe do të përfaqësojë denjësisht vlerat shqiptare në Bashkimin Evropian. Ata janë fytyra e Shqipërisë që avancon çdo ditë me besim drejt anëtarësimit, si pjesë e pandashme e familjes evropiane”, theksoi Hoxha.
1 nga 7/gj.m/r.e/