E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxha pret me zv. presidenten e BKA: Gjermania, partnere kyçe për sigurinë

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha priti sot në një takim Zëvendëspresidenten e Policisë Federale Kriminale Gjermane (BKA), Martina Link.

Ministri Hoxha e ka bërë publik lajmin përmes rrjeteve sociale, teksa shkruan se u diskutua për “forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe BKA-së, një partneritet që ka dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve”.

“Vlerësova kontributin gjerman në rritjen e kapaciteteve tona dhe theksova vullnetin e ndërsjellë për të çuar më tej bashkëpunimin, me më shumë operacione të përbashkëta, shkëmbim informacioni dhe mbështetje teknike”, thekson Hoxha.

Më tej, Hoxha shton se “siguria është sfidë e përbashkët dhe partnerët tanë, si Gjermania, janë aleatë të çmuar në këtë angazhim”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›