E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxha, "tripleta" shqiptare e Interit

Ndërkohë që Interi i “madh” përgatitet të sfidojë Çelsin në “Stamford Bridge” në ndeshjen e kthimit të 1/8-ave Ligës së Kampioneve, skuadra e paratërinjve zikaltër, Allievi Nazionali, fitoi 8-0 kundër Olbias (java e 8-të e fazës së dytë) ditën e djeshme, me një të veçantë “shqiptare”. Sulmuesi i Kombëtares U-17, Fabio Hoxha, ishte autori i një triplete të bukur: 14’, 74’ dhe 79’, së cilës i ka bërë jehonë edhe faqja zyrtare e zikaltërve.

“Said, - shkruan “inter.it”, - sulmoi nga e majta dhe pas disa driblimeve të bukura lëshoi një kros të ëmbël për Hoxhën. Ky i fundit, me një akrobaci, e zhyti topin në rrjetë”. 1-0 për Interin. Goli i dytë i Fabios u realizua me një gjuajtje të fuqishme tokazi brenda zonës, ndërkohë që sulmuesi shqiptar, ashtu siç hapi ndeshjen, edhe e mbylli atë me një rrjetë të bukur, atë 8-0.

Skuadra e paratërinjve të Interit kryeson me 60 pikë pas 21 ndeshjesh (20 fitore, 1 humbje), ndërkohë që shqiptari Fabio Hoxha dhe ganezi Said Ahmed bashkëkryesojnë me nga 14 gola secili, duke realizuar të dy bashkë 28 nga 76 golat që ka realizuar skuadra në total.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›