Hoxhaj: BE, presion më të madh ndaj Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është pritur të martën nga zëvendeskancelari, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Austrisë, Michael Spindelecker. Në këtë takim është biseduar edhe për situatën në veri të Kosovës, ku Hoxhaj ka kërkuar që të shtohet presioni ndaj Serbisë me qëllim të tërheqjes së grupeve të saj paramilitare nga kjo pjesë e Republikës së Kosovës.
Hoxhaj Spindelecker kanë folur për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, për ndihmën që Austria mund t`i jap Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian, si dhe në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës.
Në të gjitha këto çështje, ministri Hoxhaj ka marr mbështetje të pakursyer nga zëvendeskancelari i Austrisë, Spindelecker. Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e marrjes së udhërrëfyesit nga Bashkimi Evropian, që do të mundësonte hapjen e një kapitulli të ri në lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës. Në këtë pikë, zëvendeskancelari Spindelecker ka theksuar se do të përkrah Republikën e Kosovës në arritjen e këtyre synimeve.
“Ne si austriak gjithmonë kemi përçuar sinjale në përkrahje të Kosovës, përkrahim këtë shtet të ri në Ballkanin Perëndimor, ajo që vlen sot për fqinjët e saj, duhet të vlej një ditë për Kosovën. Tek çështja e vizave, përfundimi duhet të jetë që kosovarët të udhëtojnë në gjithë Evropën pa viza. Ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, dhe rruga deri atje duhet të përshkohet me përmbushjen e kritereve, por edhe gatishmërinë e Evropës për këtë proces...”, tha zëvendeskancelari Spindenlecker.
Edhe në këtë takim, ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Austrisë dhe të Bashkimit Evropian që të shtohet presioni mbi Serbinë për largimin e strukturave ilegale nga Republika e Kosovës, si parakusht i vetëm për paqe dhe stabilitet në Ballkan. “Nuk ka asnjë shtet tjetër në Evropë, përveç Serbisë që përmes grupeve paramilitare, strukturave ilegale mundet të administrojë një pjesë të territorit të një shteti tjetër. Ne kemi kërkuar përkrahjen e Austrisë dhe Evropës në mënyrë që t`i bëhet Serbisë më shumë presion, që këto struktura të largohen nga Kosova. Që të ketë një integrim të serbëve, sipas planit të Ahtisaarit”, ka theksuar ndër të tjera ministri Hoxhaj.