E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Jemi kundër status-quosë në veri

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një fjalim në Pragë të Çekisë, në kuadër të takimit të Grupit të Vishegradit (V4).
Para përfaqësuesve të vendeve të V4 dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hoxhaj tha se Kosova ka relativisht një kohë të gjatë që aspiron për tu bërë një shtet i lirë dhe i pavarur.
Ai ka bërë të ditur se gjatë këtyre tre vjetëve, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova i ka konsoliduar institucionet dhe ka vendosur themelet e një qeverisjeje të mirë.
“Kosova është njëra ndër modelet më të mira në botë, në integrimin e minoriteteve në pushtetin qendror dhe lokal”, tha Hoxhaj para të pranishmëve.
Duke iu referuar Raportit të Progresit për vitin 2011, Hoxhaj tha se Kosova ka në bërë një hap të pakthyeshëm drejt rrugës së saj evropiane dhe se viti 2012 do të jetë vit i Kosovës evropiane.
“Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është një kornizë e mirë për ne, për fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve”, tha Ministri Hoxhaj, duke ftuar përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit që të ndihmojnë Republikën e Kosovë në procesin e liberalizimit të vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me institucionet e BE-së.
“Kosova nuk mund të mbetet vendi i vetëm i harruar dhe i izoluar në rajon”, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ministri ka folur edhe për situatën në veri. Ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është kundër përdorimit të dhunës, kundër status-qos dhe konfliktit të ngrirë dhe se zgjidhja e vetme mbetet zbatimi i plotë i Pakos Ahtisaari.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›