Hoxhaj: Kosova, eksportuese e sigurisë në rajon

Republika e Kosovës aspiron që të jetë një eksportues i sigurisë, duke u bazuar në modelin e saj shumë të suksesshëm të shtetndërtimit. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) në Shkup,
Para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker dhe personaliteteve të tjera të rajonit, ministri Hoxhaj ka theksuar se ky takim po mbahet afër dy ngjarjeve të rëndësishme: përvjetorit të intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllav si dhe arritjes së marrëveshjes historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prill të këtij viti.
Duke falënderuar ambasadorin Reeker për kontributin në arritjen e marrëveshjes, ministri Hoxhaj tha se ky momentum tregon vendosmërinë për siguri dhe stabilitet ndërmjet dy vendeve, duke shpresuar se marrëveshja do t’i shërbej paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë, Serbi, dhe tërë rajonin.
“Marrëveshja e arritur shënon fundin e një konflikti një shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe hap një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore. Si do që të jetë, kapitulli i ri duhet ende të shkruhet, prandaj për ne implementimi është aq i rëndësishëm sa edhe vetë nënshkrimi i marrëveshjes”, tha Hoxhaj.
Ai më tutje ka vlerësuar evoluimin e Kartës së Adriatikut, përmes mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara, duke u shndërruar në një mekanizëm shumë të përdorshëm për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe avancuar agjendën e integrimit euroatlantik.
“Miqësia e veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe partneriteti strategjik me Gardën Kombëtare të Ioëas na bën ne edhe më krenar dhe të fortë në objektivat tona euroatlantike afatgjate”, tha Hoxhaj, duke theksuar vullnetin e Republikës së Kosovës, për t’u bërë anëtar i plotë i Kartës SHBA-Adriatik.
Ai tha se Kosova ka aspirata që të bëhet një përkrahës aktiv dhe kontribuues i sigurisë kolektive.
“Nevoja për pjesëmarrjen e Kosovës në Kartën e Adriatik-SHBA, është në vijë të plotë me parimet e dyerve të hapura dhe perspektivën euroatlantike, siç është konfirmuar nga Samiti i Çikagos”, tha Hoxhaj, duke shtuar se integrimi i Kosovës në këtë mekanizëm do të shënonte përparim në sigurinë ndërkombëtare, duke e bërë rajonin eksportues të paqes dhe sigurisë.
Ministri Hoxhaj tha se për Kosovën dhe qytetarët e saj, NATO është një simbol i lirisë, shpresës dhe sigurisë kolektive.
“Prandaj, jam krenar që përfaqësoj një vend i cili ka përkrahjen më të madhe publike, mbi 95 %, për integrimet euroatlantike. Kjo është sepse populli i Kosovës beson se një rajon i sigurt do të thotë më shumë rritje ekonomike dhe siguri njerëzore”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Kosovës vlerësoi se në pesë vitet e fundit, Kosova ka dëshmuar se është e vendosur për bashkëpunim në çështje të sigurisë, në adresimin e sfidave ndër-rajonale, sigurimin e kufijve, luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar, duke veçuar bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve kosovare të sigurisë dhe trupave të NATO-s./Indeksonline/