Tahiri fajëson prapë Serbinë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës e ka fajësuar prapë Serbinë për mos arritjen e rezultateve konkrete gjatë dialogut që po zhvillohet në Bruksel për telekomunikacion, energji dhe çështje të drejtësisë.
Përmes një komunikate Tahiri është sqaruar se dështimi për të arritur pajtim për këto tri fusha vjen si rezultat i asaj që “Serbia vazhdon të bëjë interpretime të njëanshme të marrëveshjes për normalizim dhe planit për zbatim dhe se nuk tregon pjekurin dhe seriozitetin e duhur si palë negociatore”.
Kosova ka refuzuar t’i jap të drejtën e operimit në shtetin tonë një kompanie serbe të telefonisë celulare pasi për këtë duhet shpallur një tender ndërkombëtar. Ndërkaq, gjithëmonë sipas komunikatës, qeveria e Kosovës ka ofruar mundësinë e fillimisht licencimit të një kompanie të telefonisë fikse serbe. Pa u bërë licencimi i një kompanie të tillë sipas Edita Tahirit asnjë kompani serbe nuk mund të filloi të operojë në territorin e Kosovës. Me këtë është hedhur poshtë kërkesa e palës serbe që “Telekom Serbia” të fillojë punën në Kosovë.
Kjo çështje pritet të zgjidhet përfundimisht gjatë darkës së punës në mes të kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq që do mbahet më 20 qershor në Bruksel.
Pothuajse i njëjti problem është shfaqur edhe sa i përket cështjes së energjisë pasi pala serbe ka kërkuar që përpos operatorit publik kosovar të licencohet edhe një serb i cili do furnizonte me energji elektrike banorët serb të veriut. Kjo kërkesë nuk është pranuar ndërkaq zëvendëskryeministrja e Kosovës Tahiri është ankuar që pala serbe këtë çështje mundohet ta zgjidh në baza etnike.
Megjithatë, problemet më të mëdha janë paraqitur në fushën e drejtësisë pasi delegacion serb ka bojkotuar takimet në Bruksel për këtë çështje.
Gjatë dialogut që po zhvillohet sot po diskutohet për policinë, gjykatat dhe zgjedhjet. /Indeksoline/