Hoxhaj: Serbia “de fakto” e ka njohur Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një deklaratë për mediat të botuar në gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”, ka folur për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
“Prej vitit të ardhshëm, nuk do të ketë më përfaqësues ndërkombëtar në Kosovë me pushtet ekzekutiv. Kjo do t`i ndryshon strukturat shtetërore, mënyrën se si e shohim veten dhe si na shohin jashtë vendit”, ka thënë Hoxhaj.
Lidhur me strukturat paralele në veri, ministri i Jashtëm i Kosovës ka deklaruar se ato mbajnë peng popullsinë në atë pjesë prej 13 vitesh.Ndërkaq, lidhur me dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se janë arritur shtatë marrëveshje teknike.
“Për ta vazhduar dialogu, duhet më parë që ato të implementohen, posaçërisht ajo e menaxhimit të integruar të kufijve, e cila është “de fakto” një njohje e Kosovës nga Serbia. BE-ja duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë në këtë drejtim. Fati i Serbisë është brenda kufijve të vet, jo jashtë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.