Hoxhaj-Tadiçit: Je kundër Evropës

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se konstatimi i presidentit të Serbisë, Boris Tadiç se politikanët shqiptarë kanë për qëllim “Shqipërinë e Madhe”, është kundër parimeve të Evropës.
“Ajo çfara ai thotë është në kundërshtim me çdo gjë që simbolizon Evropën. Krijimi i shteteve monoetnike, lëvizja e kufijve, ndërrimi i territoreve, të gjitha këto janë shumë të rrezikshme. Kufijtë e Ballkanit qëndrojnë. Kosova është produkti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ky fakt tani njihet nga 76 shtete anëtare të OKB-së”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Rreth çështjes së veriut të Kosovës, Ministri i Jashtëm ka thënë se nga viti 2005 deri në 2007 nën udhëheqjen e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari, në Vjenë u zhvilluan negociatat, esenca e të cilave ishte mbrojtja sa më e mirë e pakicave etnike në Kosovë. Rezultati apo zgjidhjet kosovare për integrimin e pakicave, sipas tij, kanë karakter modeli për të gjithë rajonin e Ballkanit.
“Në veri të Kosovës më shumë është çështje e sundimit të ligjit. Në këtë pjesë deri gjatë kohës së administrimit nga institucionet e UNMIK-ut, u krijuan struktura ilegale të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Zgjidhja për veriun është tashmë e njohur dhe kjo është zbatimi i planit të Ahtisaarit. Kushtetuta e vendit duhet të zbatohet edhe në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Enver Hoxhaj.
Sa i përket bllokadave që Serbia vazhdon t`i bëjë anëtarësimit të Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare, Ministri Hoxhaj ka theksuar se Serbia po përpiqet që ta izoloj, ta paralizoj zhvillimin dhe të dëmtoj sovranitetin e shtetit të Kosovës.