Hoxhaj informon Berishën për takimin Thaçi-Daçiç
TIRANE- Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj është pritur sot nga kryeministri, Sali Berisha. Takimi Thaçi- Daçiç, rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe ndihma që po i jep Shqipëria, Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave apo në rritjen e numrit të njohjeve ishin në qendër të bisedës së ministrit Hoxhaj dhe kreut të qeverisë shqiptare.
Hoxha njoftoi Berishën se, bisedimet mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç, janë zhvilluar duke patur në themel, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Paketën Ahtisari.
Shqipëria, tha kryeministri i ka përshëndetur zhvillimet e këtyre bisedimeve si dhe i mbështet ato duke theksuar se këto bisedime duhet ti përmbahen dhe respektojnë marrëveshjet ekzistuese të nënshkruara midis dy vendeve.
Mes Kosovës dhe Shqipërisë së shpejtim pritet të nënshkruhet protokolli i bashkëpunimit në fushat ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit, i cili, sipas Berishës dhe Hoxhajt do të bëjë të mundur eliminimin e pengesave burokratike dhe do të nxisë më tej, rritjen e shkëmbimeve në këto fusha.
Hoxhaj vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, si dhe ndihmën që vendi ynë i ka dhënë Kosovës në proceset e saj integruese, ndërsa të dy ripohuan se e ardhmja më e mirë e të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe e të gjithë vendeve të rajonit është dhe mbetet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian.