E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga Timori Lindor

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar sot një vizitë zyrtare dy ditore në Timorin Lindor, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të këtij shteti, Jose Luis Guterres.

Në ditën e parë të vizitës, ministri Hoxhaj është pritur në një takim bilateral nga ministri i Punëve të Jashtme i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj edhe zyrtarisht ia ka dorëzuar kërkesën e Republikës së Kosovës për njohje të plotë nga Timori Lindor.

“Kosova dhe Timori Lindor në aspektin gjeografik janë larg njëra-tjetrës, por ne ndajmë kujtesën e represionit dhe shkeljeve masive të drejtave të njeriut nga regjimet e huaja si dhe lavdinë e popujve tanë për liri. Prandaj, njohja e Timorit do të ishte edhe një mirënjohje dhe respekt për dinjitetin e viktimave”, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë takimit.

Më pas, në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj ka falënderuar ministrin Guterres për ftesën dhe mirëpritjen e ngrohtë.

“Shpresoj që kjo vizitë është një kapitull i ri i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Është një fat i madh për popujt tanë që fillimi i shekullit 21 i gjeti të dy vendet tona si vende të pavarura, sovrane dhe demokratike, që prosperojnë si anëtarë të vendeve të lira të botës”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres ka thënë se është i nderuar me vizitën e Ministrit Hoxhaj, e cila po ndodh në 10 vjetorin e pavarësisë së Timorit Lindor.

“Ne, popullin tuaj gjithmonë e kemi pas në zemër. Prandaj edhe njohja e Republikës së Kosovës, përtej një akti formal është një obligim që vjen nga zemra jonë”, ka theksuar ministri Jose Luis Guterres, në takim.

Dy ministrat kanë biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha, në mënyrë që marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të thellohen edhe më shumë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›