E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj takon rektorët e Vjenës dhe Gracit

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron për një vizitë në Austri, ka takuar sot në takime të ndara rektorin e Universitetit të Vjenës, Georg Winkler dhe rektorin e Universitetit të Gracit, Alfred Gutschelhofer.

Gjatë kësaj vizite ministri Hoxhaj ka pasur takime të veçanta edhe me dekanët e fakulteteve ekonomike, juridike dhe të shkencave sociale, bën të ditur MASHT, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Temë kryesore e takimeve me përfaqësuesit e të dy universiteteve ka qenë themelimi i Universitetit të Prizrenit dhe për bashkëpunimin mes MASHT-it dhe të dy universiteteve gjegjëse në zhvillimin e kurrikulave për programet e studimit në Universitetin e Prizrenit, shkëmbimin akademik të profesorëve dhe studentëve mes Universitetit të Prizrenit dhe universiteteve austriake, bashkëpunimin në fushën e kërkimeve shkencore si dhe domosdoshmërinë për një program të bursave për stafin e ri të Universitetit të Prizrenit, thekson komunikata.

Duke pasur parasysh se Universiteti i Prizrenit synon që në mësimdhënie dhe mësim nxënie ta ndërlidhë teorinë me aplikimin praktik të dijes në zhvillimin e Kosovës, gjatë këtyre takimeve është biseduar edhe për marrëveshje të reja, të cilat do të ndodhin mes Universitetit të Prizrenit dhe universiteteve austriake.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›