E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë ritenderim

Privatizimi me “Spin off special” duket se ka qenë i dështuar për ndërmarrjen e Industrisë së Duhanit në Gjilan. Blerësi nga Afrika e Jugut, “Mc Croft”, nuk ka arritur t’i përmbushë kushtet e kontratës, duke i larguar punëtorët nga puna.

Për këtë qëllim, dhjetëra ish-punëtorë të ndërmarrjes protestuan të premten dhe kërkuan nga Agjencia Kosovare e Privatizimit të bëjë ritenderimin sa me të shpejtë të fabrikës.

Xhelal Mustafa, nga Kryesia e Sindikatës së Pavarur, tha se kjo ndërmarrje e privatizuar ka pushuar punën qysh më 13 mars 2009 dhe kompania “Mc Croft”, e cila ishte shpallur fituese për blerjen e saj më 1.4 milion euro, nuk ka arritur t’i përmbushë kushtet e kontratës.

“Kompania “Mc Croft”, nga korriku i vitit 2008, ka filluar largimin e punëtorëve, ndonëse ka qenë e obliguar ta bëjë të kundërtën dhe të rrisë numrin e punëtorëve në rreth 800 si dhe të investojë 5.9 milionë euro”, ka thënë ai

Protestuesit shprehën këmbënguljen e tyre për kthim në vendet e punës dhe se nëse institucionet nuk marrin ndonjë vendim, ata do të futen me forcë në vendet e tyre të punës dhe se askush nuk do të mund t’i nxjerrë.

Në anën tjetër, edhe prodhuesit e duhanit, të cilët kishin lidhur kontrata me këtë kompani, thonë se janë mashtruar nga menaxhmenti, si në çmimin e blerjes së duhanit, ashtu edhe në vlerësimin e cilësisë së tij. Ata njoftuan se sasi e shumtë e duhanit u ka mbetur në shtëpi, pasi përkundër kontratave, fabrika nuk ua ka marrë atyre duhanin fare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›