Hoxhaj uron Selinë e Shenjtë për Pashkët

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami dërguar sekretarit për marrëdhënie me shtetet në Selinë e Shenjtë, Dominique Mamberti, i ka uruar Kishës Katolike Festën e Pashkëve.
“Republika e Kosovës, gjatë periudhës së kreshmeve dhe posaçërisht gjatë Javës së Madhe përkujton përvujtërinë dhe thjeshtësinë, kalvarin dhe sakrificën, për një arritje më sublime”, thuhet ndër të tjera, në letrën e ministrit Hoxhaj.
Në telegram, Hoxhaj shpreh vullnetin e institucioneve të Kosovës për një përafrim substancial ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, i cili, siç thotë ministri Enver Hoxhaj, do të jetë garanci e fortë për lirinë, paqen dhe mirëqenien, si dhe do të hapë perspektiva të reja integruese./Indeksonline/