E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj vazhdon me punësime joligjore

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj, po vazhdon me “avazin e vjetër” të punësimeve nëpër shërbimet diplomatike e konsullore të Kosovës. Derisa konkursi për staf konsullor e diplomatik pothuajse i ka bërë dy vjet që është hapur ndërsa rreth shtatëqind kandidatët që kanë aplikuar nuk janë pranuar fare në punë, dhe as që janë njoftuar nëse do të punësohen ose jo, Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon t’i akomodojë militantët partiakë nëpër konsullata dhe ambasada të vendit.

Gazeta “Zëri” ka siguruar një listë me disa emra të personave të cilët falë afërsisë me partitë në pushtet janë “rehatuar” në dikasteret e MPJ-së.

Për dhëndrin e ministres së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, përkatësisht të fejuarin e motrë së saj, Edon Cana, ministri Hoxhaj ka siguruar një vend pune në Strasburg, ku ai do të jetë Konsull i Përgjithshëm.

“Edon Cana më parë ka punuar këshilltar i ministres Çitaku, pastaj ka qenë këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi, e nga kjo pozitë ai është dërguar në Strasburg si Konsull i Përgjithshëm, ku tashmë e ka nisur punën. Shkelja tjetër me të është bërë se atij i është dhënë grada ministër këshilltar, të cilën s’ka të drejtë t’ia japë askush tjetër përveç Komisionit për Grada. E ky komision ka kohë që nuk është mbledhur, dhe nuk ka bërë ngritje të gradave për askënd”, ka thënë burimi i gazetës brenda MPJ-së. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›