E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhiq: Në veri nuk ka siguri

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq ka thënë se sa i përket çështjes së sigurisë në veri të Mitrovicës nuk ka asnjë ndryshim, që do të thotë se tensionet janë të pranishme dhe nuk ka siguri.

“Ajo që vlen të përmendet është prezenca e shtuar e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në këtë pjesë, që dërgojnë mesazh tek qytetarët se institucionet të cilat janë përgjegjëse për çështje të sigurisë kanë marrë parasysh seriozisht situatën e re të krijuar në këtë pjesë të qytetit”, ka thënë ajo, raporton RTK.

“Vërtetë nuk jam e sigurt nëse do të ndryshojë diçka në të ardhmen në këtë drejtim, por sinqerisht ju them se gjatë bisedave me qytetarët e këtushëm, të gjithë janë në ankth dhe presin që ndoshta çdo moment diku do të shpërthejë”, ka thënë Hoxhiq, duke ripërsëritur se nuk ka ndryshime sa i përket çështjes së sigurisë.

Sipas saj, në lidhje me shpërthimet e fundit në veri, deri tani autorët nuk janë zbuluar dhe askush nuk është arrestuar, ndërsa siç u shpreh, gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu.

Ajo potencoi si shumë pozitive faktin se gjatë javës së fundit nuk ka pasur shpërthime, por tha se përkundër kësaj, qytetarët e veriut nuk ndjehen të sigurt./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›