Human Rights: Ligji për homoseksualët, fitore ndaj paragjykimeve në Shqipëri

Tiranë, 16 shkurt, NOA - Mbrojtja nga diskriminimi për shkak edhe të orientimit seksual apo identitetit gjinor, tregon përkushtimin e Shqipërisë mbi respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Një fakt i tillë citohet në mesazhin që i ka mbërritur
kryeministrit Berisha sot nga drejtuesit e organizatës së njohur botërore për të
drejtat e njeriut, Human Rights Uatch.
Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i miratuar nga ligjvënësit shqiptarë në
4 shkurt 2010, është një hap përpara në sigurimin e të drejtave të
barabarta për të gjithë, thuhet në mesazh, duke shtuar se ky ligj i propozuar
nga shoqëria civile dhe promovuar nga qeveria mbron shqiptarët nga çdo formë
diskriminimi.
Me këtë hap, Shqipëria ka treguar lidership në përpjekjet e saj për të
siguruar barazi për të gjithë qytetarët, i tha kryeministrit Berisha, Boris
Dittrich, drejtor i programit për LGBT në Human Rights Uatch.
Sipas tij, ligji parashikon një sërë masash,
që nëse zbatohen do të ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie të hapur, ku të
gjithë qytetarët të mund të jetojnë të lirë.
Human Rights Uatch ofron prej mëse një viti, mbështetje për Shqipërinë në
mbrojtjen qytetare nga diskriminimi, në përputhje me standartet
ndërkombëtare dhe një vit më parë, ky organizëm zhvilloi një tryezë të
rrumbullakët në Tiranë për të diskutuar mbi këtë çështje.
Organizatat e shoqërisë civile, të pranishme në këtë tryezë ngritën shqetësimin
e tyre për nivelin e lartë të homofobisë në Shqipëri dhe për mungesën e
mbrojtjes ligjore në këto raste.
Ato arritën në përfundimin se miratimi i një ligji kundër diskriminimit, që do të mbronte edhe komunitetin LGBT në Shqipëri duhet të përbënte një prioritet për qeverinë.
Human Rights Uatch e përforcoi këtë mesazh
edhe gjatë takimeve që pati në atë kohë me zyrtarë të lartë të qeverisë,
përfshirë kryeministrin Berisha, i cili e mbështeti plotësisht miratimin e
këtij ligji.
Neni 1 ligjit përkufizon barazinë ndërmjet shtetasve pavarësisht orientimint
seksual dhe identitetin gjinor.
Ndërsa në nenin 3 të ligjit ndalohet çdo formë
e diskriminimit për shkak të arsyeve të përmendura më sipër.
Më tej, në letrën zyrtare të Human Rights Uatch drejtuar kryeministrit të
Shqipërisë Sali Berisha, Boris Dittrich u kërkon autoriteteve vendase që të
sigurojnë se si zyra e re e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ashtu
edhe Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të kenë
staf të mjaftueshëm për të udhëhequr përpjekjet kundër diskriminimit në
Shqipëri.
Ky ligj është një premtim i rëndësishëm por që është vetëm në fillimet
e tij, tha Boris Dittrich, duke shtuar se tashmë është detyrë e qeverisë
shqiptare që të bëjë të mundur që të gjitha masat e parashikuara nga ligji të
zbatohen.
n.e/NOA