E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb në kazino 5 mln lekë, vetëhelmohet 27-vjeçari

BERAT - Një 27-vjeçar nga qyteti i Beratit i ka dhënë fund jetës duke konsumuar një sasi fostoksinë, ndërkohë që sipas policisë, shkak i vetëvrasjes dyshohet se është lënia e një sasi të konsiderueshme lekësh në lojërat e fatit.

Burime pranë repartit të urgjencës në spitalin e qytetit bëjnë të ditur se “në orët e para të mëngjesit të së hënës ka mbërritur në gjendje kritike për jetën 27-vjeçari Dorian Soto, banor i lagjes `Dëshmorët e Kombit`, i intoksinuar me fostoksinë”. Ndonëse, është trajtuar për rreth një orë nën terapi intensive 27-vjeçari, baba i një fëmijë ka ndërruar jetë.

Trupi i pajetë i Sotos u dërgua më pas në morgun e spitalit të qytetit ku iu nënshtrua ekspertizës mjekoligjore. Ndërkohë, bluzat e bardha njoftuan policinë për ngjarjen e rëndë. Në funksion të zbardhjes së ngjarjes, policia ka marrë në pyetje punonjësit e lokalit të lojërave të fatit dhe personat e pranishëm në momentet që 27-vjeçari ka qenë në ato mjedise.

Sipas burimeve të policisë dyshohet se shkak për këtë vendim të marrë nga ana e 27 vjeçarit, është bërë gjendja e rënduar psikologjike, pasi pakë orë më parë kishte lënë në lojërat e fatit një shumë prej pesë milion lekësh.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›