Atentat në kazino drejtorit të CEZ-it në Laç, në kërkim autorët
Tiranë/Një tjetër atentat ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, ku objektivi i agresorëve ka qenë Viktor Skeja, drejtori i CEZ Shpërndarje në qytetin e Laçit, që ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati të mbetur në tentativë. Burime nga policia bënë me dije se dy persona të paidentifikuar janë futur në ambientet e kazinosë dhe pasi e kanë pyetur për emrin dhe kanë konfirmuar se bëhej fjalë për Viktor Skejën, e kanë nxjerrë atë më forcë në ambientet e jashtme të kazinosë dhe e kanë gjuajtur me breshëri automatiku. Sipas informacioneve 5 nga plumbat e kanë kapur në këmbë 46 vjeçarin. I plagosuri është transportuar me urgjencë në spitalin ushtarak, ku është në gjendje jo të mirë shëndetësore, e sipas mjekëve ai mund të humbasë një prej këmbëve. Pas marrjes së dëshmisë së të plagosurit, policia konfirmon lajmin se dy personat kishin si objektiv vrasjen e drejtorit të CEZ Shpërndarje në Laç.
Hetimet
Nga hetimet paraprake mësohet se Skeja po luante në kazino dhe është zënë në befasi, ndërkohë që forcat e sigurisë private të kazinosë e kanë patur të pamundur të ndalojnë dy atentatorë, të cilët ishin të armatosur dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Grupi hetimor ka nisur hetimet për shkaqet e plagosjes, ndërkohë që pritet dëshmia e plotë e Skejës për të mësuar detaje dhe arsyet e atentatit ndaj tij. Burime nga vendngjarja raportojnë se autori ka hyrë në kazino duke bërtitur e ka nxjerrë Skejën jashtë dhe para se ta qëllonte, e ka pyetur për emrin, ç’ka ka hedhur dyshimet se ai e njihte personin që do qëllonte. Vrasja nuk ka pasur lidhje me kazinonë, por me të plagosurin.
Atentati
Ngjarja e rëndë e cila fatmirësisht nuk është shënuar pa viktima, ka ndodhur rreth orës 16.00 në një kazino në rrugën Bardhyl, dhe një person i pa maskuar ka qëlluar me armë një 46-vjeçarin Viktor Skeja, drejtor i CEZ-it në Laç. Identiteti i tij tashmë është zbuluar dhe policia është në ndjekje të tij. Përveç këtij personi, që ka qëlluar, dyshohet se ka pasur edhe një tjetër bashkëpunëtor, që e priste atë jashtë me motorr për t’u larguar pas atentatit.. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të mbledhur provat dhe pyetur dëshmitarët okularë. Rreth 4 persona ndodheshin në atë moment në kazino, lojtarë dhe personel. thonë burime nga vendngjarja.